Një histori e pasur me një muze të varfër


Një histori e pasur me një muze të varfër

16:09 14/04/2014

fleminguNë vend-takimet me kulturën, Muzeu Historik Kombëtar mbetet më i vizitueshmi nga shqiptarët dhe të huajt në Tiranë. Me një venndodhje lehtësisht të arritshme, ky institucion që prej dy dekadash nuk njeh investime, më shumë ai çalon në permbajtje. Në një intervistë për Televizionin Klan, David Fleming, historian dhe njëherash drejtues i tetë muzeve në Liverpul të Anglisë e cilëson atë një vend të ftohtë.

David Fleming: Është një institucion i ftohtë nga ana emocionale. Është e dukshme që njerëzit e kanë të nevojshme ta vizitojnë më shpesh, por ajo që marrin nga aty nuk përmbush pritshmëritë e tyre. Është për të ardhur keq pasi është një ndërtesë fantastike dhe ndodhet në zemër të qytetit.

Njohës i historisë shqiptare, për Fleming objektet që evokojnë periudhat tona janë të pamjaftueshme.

David Fleming: Ajo çfarë duhet të arrijë muzeu juaj, është të ofrojë një gamë më të gjerë. Mos t’i kushtohet rëndësi vetëm lashtësisë, por edhe periudhave të tjera siç është mesjeta për shembull, të cilën ne të huajt pak e njohim atë. Vizitorët kanë nevojë për më shumë koleksione dhe shpjegime. Duhet të jetë një muze ku secila grupmoshë ka diçka me të cilën të identifikohet.

Dy janë këshillat emergjente që britaniku jep për drejtuesin e këtij institucioni, një staf të mirëarsimuar që zotëron shumë mirë gjuhën angleze.

David Fleming: Kostoja financiare për të drejtuar një muze është e madhe. Biletat janë shumë të lira dhe shumatorja e tyre nuk luan ndonjë rol në buxhet. Pra është e udhës që hyrja të jetë falas. Pasi mjafton që në psikologjinë e vizitorëve hyrja të jetë falas dhe vizitorët shtohen e rrjedhimisht edhe turizmi kulutor zhvillohet.






Të ngjashme