Një shqiptar në krye të Kuvendit maqedonas
Talat Xhaferri është zgjedhur këtë enjte në postin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë. Ai u zgjodh në këtë post me votat e deputetëve të LSDM, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.
Gjatë kohës që Xhaferri bënte betimin, në shenjë proteste deputetët e VMRO kanë bllokuar karrigen e kreut të Kuvendit. Sipas mediave maqedonase, situata jashtë godinës së parlamentit është mjaft e tensionuar. Protestuesit “Për Maqedoni të Bashkuar” janë mbledhur para saj duke shprehur revoltën e tyre. Sipas policisë mësohet se janë të paktën 2 mijë protestues, një pjesë e të cilëve janë futur edhe në ambientet e Kuvendit. Edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, për gazetarët Xhaferri deklaroi se puçistë të vërtetë janë ata funksionarë të VMRO-DPMNE-së që me muaj të tërë bllokuan institucionet shtetërore. Xhaferri u zotua se do të krijohen institucionet në bazë të ligjit dhe Kushtetutës. “Si kryetar i zgjedhur edhe pse në këto rrethana në asnjë mënyrë nuk do lejojë uzurpim të institucioneve"
– tha kryeparlamentari Xhaferi. Talat Xhaferri është shqiptari i parë në historinë e shtetit Maqedonas që ulet në karrigen e kryeparlamentarit. Me një karrierë të dikurshme ushtarake, që në armatën e ish-Jugosllavisë, 55 - vjeçari Xhaferri ka qenë dhe një drejtues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë konfliktit të 2001 në këtë vend. I zgjedhur pesë herë deputet i BDI-së, ai ka mbajtur edhe poste të ndryshme të ekzekutivit maqedonas, përfshirë edhe atë të Ministrit të Mbrojtjes./tvklan.al