Një “spektakël” me protagonistë qentë
Të cilësuar si miqtë më të mirë të njerëzve, katër putërshit, ishin protagonistët kryesorë të shfaqjes së parë me qen. Të mërkurën në mbrëmje në një pasarelë të ngritur enkas në ambientet e Pallatit të Kongreseve, personazhe të jetës publike dhe miqtë e tyre iu përgjigjën thirjes së Spitalit Veterinar të Kafshëve në Sauk për ta shndërruar modën e të mbajturit kafshë shtëpiake në kulturë për t’i mbrojtur edhe kur janë të pastrehë.
Më të vegjlit e “Dog Show”, që sfiluan në krahët e vajzave dhe djemve modelë u ofruan për adoptim.
Fëmijët, të cilët kanë një raport të veçantë me kafshët shtëpiake ishin ata që në fund të shfaqjes apeluan për përkujdesje.
Kjo sfilatë me qen nuk do të jetë e fundit. Organizatorët kërkojnë ta shndërrojnë në një ngjarje të përvitshme. Në të ardhmen ai mund të marrë formën e një konkursi modest, që për model mund të ketë “Crufts” spektaklin më të madh të miqve me katër putra në Britaninë e Madhe.
Tv Klan