Një stuhi-uragan i rrallë godet Mesdheun këtë fundjavë


Një stuhi-uragan i rrallë godet Mesdheun këtë fundjavë

13:06 28/09/2018

Një stuhi e fuqishme dhe e rrallë pritet që të godasë Mesdheun Lindor këtë fundjavë. Stuhia hibride, e quajtur shpesh edhe "Medicane" (Mediterranean+hurricane; shqip Mesdhe+Uragan) ka tipare të ngjashme me ato të uraganeve dhe tajfuneve.

Sipas një studimi të publikuar në 2011-ën, në një vit të tërë ndodhin vetëm 1-2 "Medicane". Këto stuhi të fuqishme ndodhin zakonisht gjatë muajve Shtator dhe Tetor, kur temperaturat në sipërfaqen e detit janë ende të ngrohta në Mesdhe, megjithatë ajo mund të ndodhë edhe në periudha të tjera të vitit.

Përgjatë ditëve të fundit kjo stuhi shkaktoi përmbytje nëpër Tunizi e Libi, përpara se të lëvizte në veri të Mesdheut drejt Europës.

Në det, sipas ekspertëve, stuhia pritet që të ketë më shumë tipare tropikale, që zakonisht janë të pranishme tek uraganet, me erëra të forta dhe 'sy' në mes.

Ky sistem pritet që të lëvizë ngadalë drejt ishullit të Kretës dhe pjesës jugore të Greqisë, përpara se të marrë shpejtësi dhe të drejtohet për nga Turqia perëndimore të dielën.

Sipas asaj që shkruan amerikania CNN, disa zona të Greqisë dhe Turqisë do të goditen nga shira të dendur dhe erëra të forta.

Në Kretë dhe ishuj të tjerë jugorë të Greqisë pritet të bjerë 100 deri në 150 milimetra shi, që mund të çojë në përmbytje. Qytete si Izmiri në Turqi dhe Kalamata në Greqi mund të përballen me 50 deri në 60 milimetra shi.

Fatmirësisht, "Medicane" pritet që të zbutet dhe nuk do të përkojë pjesën jugperëndimore të Europës, që do të thotë se kjo pjesë është më pak e rrezikuar nga përmbytjet, si pasojë e stuhisë.

Uragane që kanë goditur globin kohët e fundit, të tillë si Harvey dhe Florence prodhuan përmbytje katastrofike për shkak të natyrës së ngadaltë lëvizëse të tyre./tvklan.al





Të ngjashme