Njeriu i afërt i Trump dorëhiqet pas akuzave për kontakte me Rusinë
Këshilltari i Presidentit amerikan mbi Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave për kontakte me Rusinë.
Lajmi bëhet i ditur nga vetë Shtëpia e Bardhë. Flynn akuzohet se ka diskutuar sanksionet amerikane me ambasadorin rus, para se Trump të merrte postin e Presidentit. Ai po ashtu akuzohet se ka keqinformuar zyrtarët lidhur me bisedën.
Më herët, media amerikane raportoi se Departamenti i Drejtësisë e kishte paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë lidhur me kontaktet e muajit të fundit. Ata thanë se Flynn mund të ishte vulnerabël ndaj shantazheve ruse.
Zyrtarë të lartë demokratë bënë thirrje që Flynn të pushohej nga detyra.
Ai kishte detyrën e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, si i emëruar nga presidenti për t’a këshilluar mbi çështjet ndërkombëtare dhe mbrojtjen, një pozicion kyç në administratën e re. /tvklan.al