Noterja shet 2 herë apartamentin, ALUIZNI legalizon shtëpinë që është ende në gjyq
Jashar Gllava tregon në emisionin “Stop” se në Tetor të vitit 2012 bleu një apartament nga kompania “2 AL” sh.p.k., duke firmosur kontratë shit-blerjeje në zyrën e noteres Edlira Hyseni.
Pas dy muajsh e njëjta notere i shet të njëjtin apartament shtetasit Elvis Xhaferri. Çështja shkoi në gjyq dhe është aktualisht në Gjykatën e Lartë, por gjatë kohës së gjykimit blerësi i dytë, Xhaferri pajiset me leje legalizimi nga ALUIZNI Tiranë. Gazetarja e emisionit “Stop” i kërkon shpjegime për shitjen e të njëjtit apartament noteres Hyseni, e cila mjaftohet të thotë se nuk mban mend dhe nuk është e detyruar për këtë. Ndërsa drejtori i ALUIZNI-T, Krenar Cenollari përgjigjet se i është drejtuar gjykatave dhe nuk ka çështje për palët në konflikt për apartamentin. Por pasi gazetarja e emisionit siguron ankimimin gjyqësor, zoti Cenollari thotë se do ta bllokojë lejen e legalizimit dhe do njoftojë edhe hipotekën për këtë bllokim, deri në vendimin gjyqësor të formës së prerë.“Në vitin 2012 unë kam blerë një shtëpi te “2 AL” sh.p.k. dhe kam firmosur kontratën te noterja Edlira Hyseni. Kam paguar 40 mijë euro. Nuk u futa direkt në shtëpi se shtëpia nuk ishte e mbaruar. Pas dy muajsh kam ardhur dhe kam gjetur derën të vënë nga një person i dytë që e ka blerë, Elvis Xhaferri. Filluan konfliktet me të dhe pastaj filluam gjyqet. Në Shkallën e Parë e mori blerësi i dytë, pastaj shkuam në Apel, që e ktheu për rishqyrtim. Por kur Apeli e ktheu për rishqyrtim ky bëri rekurs për Gjykatën e Lartë. Jemi në proces gjyqësor, por blerësi i dytë ka marrë te ALUIZNI legalizimin. Ata automatikisht duhet t’i ndalojnë këto veprime. Në kohën që ky e ka hedhur te ALUIZNI ka hedhur edhe per hipotekë. Prandaj i jam derituar emisionit “Stop”, të më ndihmojë”.
Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua zyrës së noteres Edlira Hyseni për të marrë një përgjigje sesi ka mundur të bëjë dy kontrata shit-blerjeje për një apartament. Gazetarja - Si ka mundësi që ju në datë 15 Tetor 2012 keni lëshuar këtë kontratë shit-blerjeje qytetarit Gllava dhe pastaj më datë 12.12.2012 ke lëshuar po këtë numër pasurie, po këtë apartament, qytetarit Elvis Xhaferri? Noterja -Objektet që shiten i verifikon praktikisht shitësi dhe blerësi. Pronat e paregjistruara nuk e kanë pasur asnjëherë…
Gazetarja - Po mirë moj zonjë, nuk e ke fiksuar ti…nuk e ke fiksuar ti, kur të erdhi administratori në fillim, që unë këtë apartament e kam shitur njëherë. Noterja -Tani ... noteri nuk fikson. Jo, noteri nuk fikson, noteri sheh letrat. U sqaruam?
Gazetarja - Po mirë, çfarë të bëjë ky qytetari tani që i kanë ikur 40 mijë euro? Noterja -Thashë t’i drejtohet organeve…Shteti ka organe të caktuara, t’i drejtohet edhe të …
Gazetarja- Po është faji jot moj zonjë! Noterja -Kush jeni juve që thoni është faji im?
Gazetarja - Unë jam gazetare, jam gazetare… Noterja -Duhet shumë kujdes kur flet me një nëpunës publik!
Gazetarja - Po, ja unë shoh kontratat. Unë shoh një emër që ka bërë dy kontrata për një numër pasurie. Noterja -Ti sheh, domethënë i kanë parë organe të tjera, ti sheh dhe ti del në konkluzion? Më fal…
Gazetarja - Po sepse ju nuk jeni paraqitur as në Gjykatë (pas kallëzimit që i ka bërë qytetari) Gazetarja - Nuk keni qenë e vëmendshme? Kush janë arsyet, domethënë, që një apartament e keni shitur dy herë? Noterja-Bëj kujdes kur flet me noterin!
Gazetarja - Po ja, dakord, kam … Noterja -Bëj kujdes kur flet me noterin!
Gazetarja - Unë, kujdes po flas moj zonjë… Noterja -Janë paraqitur letrat, konform letrave janë bërë edhe kontratat…
Gazetarja - Kjo i ndodh sot qytetarit, nesër mund të blej unë shtëpi dhe je po e njëjta notere. Po të njëjtën gjë do të bësh? Shtëpinë time, pas dy muajsh, do t’ia shesësh një qytetari tjetër? Noterja -Tani që format ligjore kanë ndryshuar, se ndërhyri shteti…
Gazetarja - Që janë futur në sistem? Po mirë moj zonjë, ti kur lëshon këtë kontratën, normalisht duhet ta kesh në arkivën tënde, që bëhet fjalë për apartamentin nr 21, shkalla 3, kati i 8 me përbërje … Noterja -Ju thashë, database-n e pasurive, zonjë database-n e pasurive, nuk e mban noteri.
Gazetarja - Këtë paragraf, ia ke dorëzuar edhe Elvis Xhaferrit. Noterja –Database-n e mban juristi i firmës
. Gazetarja - Po mirë moj zonjë, dakord! Noterja-
Kjo është procedura.
Gazetarja e emisionit shkoi pranë ALUIZNI Tiranë, për të komunikuar me Krenar Cenollarin, drejtuesin e saj, sesi mund të legalizohet një pronë ndërkohë që është në proces gjyqësor.“Nga verifikimet tona qytetari, që ka marrë lejen, është praktikisht personi që është gjetur edhe fizikisht dhe ky ka qenë shkak dhe indicie për në për të vazhduar procedurën për legalizim.
Ne si drejtori i jemi drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, ku na rezulton se nuk ka asnjë çështje konflikti të hapur në këto dy shkallë”.
Gazetarja iu drejtua këtyrë dy gjykatave dhe siguroi shkresën që u ka nisur ALUIZNI, por në asnjë prej tyre nuk figuron emri i Elvis Xhaferrit. Ajo tregoi se verifikimi mund të kryhej fare lehtë duke kërkuar online në faqet e përkatëse të gjykatave. Ndaj gazetarja e emisionit “Stop” u rikthye pranë ALUIZNI-t për t’i treguar drejtorit se ky apartament është akoma në çështje gjyqësore.“Do i kërkojmë informacion për rastin konkret Hipotekës dhe do t’i kërkojmë pezullimin e kësaj dosje për këtë shkak, që ne sapo e morëm vesh. Pastaj do presim vendimet e gjykatave në vazhdim. Ndërkohë kemi dhe një vendim nga drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, për pezullimin e procesit të legalizimit të subjektit ndërtues “2 AL”, për shkak të konflikteve të tilla”,
u shpreh drejtori Cenolli. Denoncuesi Jashar Gllava falenderoi emisionin “Stop”, pasi tanimë ka shpresë për të fituar shtëpinë e tij./tvklan.al