“Nuk bëni mirë që ma nxirrni emrin në emision”


“Nuk bëni mirë që ma nxirrni emrin në emision”

19:20 01/03/2020

Seanca e ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në gjyq”, në Tv Klan solli përballë njëri-tjetrit Mimozën dhe vëllain e burrit të saj, Azizin.

Problematika e saj është e madhe dhe shkak për këtë është bërë një rrugë, e cila është bllokuar dhe si pasojë Mimoza duhet të kalojë në varreza për të shkuar në shtëpi. Problematika lidhet edhe me familjen Sula, e cila pretendon se është pronare e asaj toke.

Në një lidhje telefonike në studio, Rabije Sula u shpreh se nuk ishte dakord që emri i saj të përmendet në emision. Sipas saj, nëna e saj është pronare e tokës dhe nuk u ka ardhur asnjë urdhër për të hapur rrugën.

Eni Çobani: Ju pretendoni se jeni pronare e një rruge për të cilën Mimoza Ruci ka sjellë në këtë seancë ndërmjetësimi, kunatin e saj zotin Aziz Ruci. Besoj se ju të dy i njihni?

Rabije: Po!

Eni Çobani: Ju i keni edhe kushërinj, jeni shumë afër me banesa dhe ju pretendoni se jeni pronare.

Rabije: Jo unë nuk jam pronare, pronare është nëna!

Eni Çobani: Mirë s’ka problem, ndjesë atëherë, është familja juaj.

Rabije: Ju nuk bëni mirë që ma nxirrni emrin atje dhe më bëni mua person publik, të më njohë gjithë bota sepse s’kam nevojë të më dalë fare emri atje pa arsye.

Eni Çobani: Nuk ua nxjerrim neve emrin, jua nxjerrin protagonistët.

Rabije: Pronare është nëna, se e dëgjova bisedën unë.

Eni Çobani: E dëgjove bisedën, shumë mirë.

Rabije: Unë s’jam protagoniste hiç, se pronare për tokën është nëna deri më sot, se unë e kam nënën gjallë, nuk më ka vdekur. Siç e ka tokën Moza, e kam edhe unë, e ka edhe Azizi, e kanë të gjithë

Eni Çobani: Të lutem zonja Rabije! Keni ndonjë dokument ligjor ku ju vërtetoni se mamaja juaj, ndjesë për ju, por mamaja juaj është pronare e kësaj toke?

Rabije: Po si nuk e kam dokumentin, siç e kanë ata, e kam edhe unë certifikatën e pronësisë.

Eni Çobani: Që përfshihet edhe rruga për të cilën po flasim?

Rabije: Rrugë këmbe, jo rrugë makine, ka hyrje, ka dhe dalje. Unë nuk e kam mohuar asnjëherë që ka rrugë, ka dhe hyrje, ka dhe dalje, nuk ka rrugë qorre.

Eni Çobani: Kjo rrugë tani që është bërë sebepi i konflikteve tuaja disa vjeçare, a ka mundësi të kuptoj sepse është ngritur dhe një grup pune, që ka ardhur atje dhe e ka parë dhe ka nxjerrë një urdhër për hapjen e kësaj rruge.

Rabije: Ku është urdhri? Se mua nuk më ka ardhur urdhër të hap rrugën.

Eni Çobani: Pse nuk keni lejuar hapjen e rrugës ju zonjë?

Rabije: Jo, jo absolutisht s’më ka ardhur asnjë lloj urdhri.

Eni Çobani: A s’ju ka ardhur, ndjesë atëherë. Më dëgjoni me kujdes.

Rabije: Se prona dhe familja janë të shenjta, nuk ka të drejtë kush të më prekë as pronën, as familjen.

Eni Çobani: Ne nuk po prekim as pronën, as familjen.

Rabije: Po më nxirrni emrin atje. Emrin s’keni pse e nxirrni atje.

Eni Çobani: Ju lutem, këtu do dalë emri i kujtdo që pretendohet nga protagonistët, jo vetëm në këtë emision, por në çdo emision dhe ju jeni të detyruar të përgjigjeni për fakte ose prova, që i plotësoni, këtë tregim që bëjnë protagonistët.

Rabije: Unë për respektin tuaj u përgjigja, tani mirupafshim.

Eni Çobani: A s’keni përgjigje tjetër?

Rabije: Jo!/tvklan.al






Të ngjashme