“Nuk dua të flas fare për këtë temë” (Video)


“Nuk dua të flas fare për këtë temë” (Video)

18:51 23/12/2018

Orgesti mbush 11 vjeç në Prill. Ai është një djalë shumë inteligjent dhe shumë i ndjeshëm. Në studion e “Ka një mesazh për ty”, ai ishte thërritur nga nëna e tij Elisabeta, e cila tregoi për vështirësitë me të cilat janë përballur për shkak se i biri është albin, që do të thotë se ka mungesë të pigmentit dhe është bjond. Ndonëse një fëmijë si gjithë të tjerët, Orgesti nuk ka mundur t’i shpëtojë bullizmit, jo vetëm nga bashkëmoshatarët, por edhe nga të rriturit.

E teksa vitet kalojnë, nëna e tij rrëfen se Orgesti nuk i tregon më vështirësitë me të cilat përballet në shkollë e rrugë. I tillë ishte rasti i mungesës së tij 10 ditore në shkollë, për të cilën nuk i tregoi asnjëherë të ëmës, se përse nuk kishte shkuar.

Megjithatë, Orgesti e zbuloi këtë për Ardit Gjebrean.

Ardit Gjebrea: Kam marrë vesh që disa ditë nuk ke shkuar në shkollë. Përse?

Orgesti:

Nuk dua të flas fare për këtë temë, thjeshtë…

Ardit Gjebrea: Përse? Të ka mërzitur dikush?

Orgesti:

Po

.

Ardit Gjebrea: Çun apo gocë?

Orgesti:

Të tërë.

Ardit Gjebrea: Të tërë? Janë shumë?

Orgesti:

E gjithë klasa.

Ardit Gjebrea: Po përse? Nuk sillen edhe aq mirë?

Orgesti:

Jo, thjeshtë u mërzita nga paragjykimet.

Ardit Gjebrea: Se ti je më i bukur se ata?

Orgesti:

Jo, thjeshtë më shanin.

Ardit Gjebrea: Ti i the mësueses apo e mbajte për vete?

Orgesti:

Sa herë që jam zënë me shokët i kam thënë një qind herë. Mësuesja nuk i thoshte asnjë gjë atyre, kështu që nuk i thashë as këtë herë fare.

Ardit Gjebrea: Pra ti ke provuar që të flasësh me mësuesen, por nuk të ka mbështetur dhe aq shumë?

Orgesti:

Po, për mësime më ndihmon shumë mësuesja. Nuk është se i thotë pse thoni kështu, thjeshtë i thotë mos e bëni më. Ata nuk e kanë frikë fare.

Ardit Gjebrea: Pra mësuesja iu flet, por ata nuk reagojnë? Domethënë mësuesja nuk ka autoritetin që t’ju thotë prindërve të tyre, që këta të fundit t’u flasin dhe t’u thonë…

Orgesti:

Jo, prindërve u ka thënë ajo, por as prindërit nuk iu flasin. Hë i thonë, se edhe ata fëmijë janë.

Ardit Gjebrea: Po mamit përse nuk i ke treguar?

Orgesti: Mamit nuk i tregoj sepse do të shkonte të zihej fare atje me ata prindërit. Nevrikoset shumë kur më shajnë. Nuk dua që të futet mami në sherre.

/tvklan.al






Të ngjashme