Nuk mbarojnë problemet për Deschamps
Problemet për përfaqësuesen franceze nuk kanë të sosur.
Didier Deschamps duhet të bëjë pa mesfushorin Lassana Diarra, i cili u lëndua në gjurin e majtë. Kjo e papritur detyroi trajnerin të ndryshojë listën pak minuta para afatit të përcaktuar nga UEFA, mesnatën e së martës.
Në vend të futbollistit të Marseille u afrua Morgan Schneiderlin i Manchester United.
Lassana Diarra nuk është i vetmi që dorëzohet pak ditë para nisjes së Europianit. Më parë u larguan nga grumbullimi mbrojtësit Raphael Varane dhe Jeremy Mathieu.
Franca publikoi listën ku mungonin Karim Benzema dhe Mathieu Valbuena të lënë jashtë pas skandalit të videos me përmbajtje seksuale. Sulmuesi Benzema e cilësoi vendimin e Didier Deschamps si të shtyrë nga gjykimet raciste.
Tv Klan