Nuk paguan dot kredinë, qytetari lë makinën dhe “xhanin”


Nuk paguan dot kredinë, qytetari lë makinën dhe “xhanin”

21:27 29/05/2019

Në emisionin “Stop” në Tv Klan mbërriti një denoncim për shoqërinë financiare “Mogo Albania”, e cila financon kryesisht automjetet. Ajo financon 75% të shumës së automjetit që do të blihet, duke lënë një tjetër kolateral.

Denoncuesi tregoi se mori një kredi prej 6097 Eurosh për hapjen e një biznesi, duke lënë si garanci një automjet tip Audi A6 me vlerë 7500 Euro.

“Kësti mujor i kredisë ishte 229 Euro në muaj. Unë e pagova diku te 4 ose 5 muaj. Kredinë e mora për qëllim investimi në një biznes, por nuk shkoi ashtu siç e kisha planifikuar dhe u detyrova që të mos e paguaja. Unë nuk e kam shklyer kredinë për rreth 6 muaj. Në Nëntor të 2018 më vjen zoti Ardit Islami, i cili është drejtor te “Mogo” dhe përveç presioneve psikologjike më thotë që duhet të paguaja këstet që kishin mbetur ose të dorëzoja makinën”, rrëfeu zoti Xhani.

Në pamundësi për ta shlyer kredinë, ai i detyrua të dorëzojë makinën më 31 Dhjetor 2018 dhe të mbyllë kredinë. Por më 10 Prill 2019 u përball me një padi nga kjo shoqëri, e cila kërkonte edhe njëherë shumën e 6097 Eurove, edhe pse për këtë u dorëzua automjeti.

Për këtë moderatorët e emisionit “Stop” u shprehën: “I plasi ‘xhani’, por s’kaloi vetëm pak kohë dhe iu shuajt ky merak. I erdhi një fletë-thirrje për në gjykatë.

“Makina është dorëzuar tërësisht me procesverbal, që ata kanë marrë makinën dhe që është në gjendje të rregullt. Unë nuk e përdor më makinën që nga data 31 Dhjetor 2018, nuk e posedoj fare”, u shpreh denoncuesi, i cili përpos padisë është përballur dhe me kërcënime nga drejtuesi i kësaj shoqërie.

Ai shtoi se ka tërhequr dosjen e padisë në Gjykatën e Tiranës, por në të nuk figuron se si është përllogaritur shuma e 6097 Eurove.

Nga ana tjetër, ekspertja financiare Adriana Kalaja shpjegoi se në bazë të dokumentacionit konstaton shkelje nga “Mogo Albania”, pasi kjo shoqëri nuk mund ta vjelë dy herë detyrimin. 

“Kërkesa është abuzive, në shkelje të ligjit dhe do të ndodhemi para një rrëzim kërkese nga ana e gjykatës. Ligji e përcakton qartë që detyrimi i palës debitore është midis vlerës së detyrimit total dhe vlerës së mjetit të shitur palëve të treta. Nuk mund të merret se kemi një dublim të shumës dhe ngarkohet debitori padrejtësisht, duke paguar 2 herë mjetin”, theksoi ekspertja Kalaja.

Denoncuesi së bashku me të atin takuan drejtorin e “Mogo Albania”, Ardit Islami, por ky i fundit nuk i dha asnjë të dhënë klientit dhe këtë e provon kamera e fshehtë e emisionit “Stop”.

Denoncuesi: Në lidhje me këtë padinë. Tani unë e dorëzova mbrojtjen në gjykatë dhe gjërat e tjera, por thjesht kërkoj nga ju një sqarim! Tani kolateral kisha lënë objektin, Audin.

Drejtori Ardit Islami: Po!

Denoncuesi: E morët Audin?

Drejtori Ardit Islami: Po!

Denoncuesi: Në rregull! Tani pse duhet të jetë kjo shumë 6097 euro? A mund t’i nxjerrim, t’i llogarisim? Po ti tani makinën e more, do dhe lekët! Do dhe 6097 euro, po s’ka, nuk shkon kjo! Edhe sikur të jenë bashkë me këste jam dakord me kamat-vonesat, me të gjitha nuk shkon 6097 mije euro, ta harrosh ti!

Drejtori Ardit Islami: Ajo është llogaritja e sistemit! Sa kohë kishe pa paguar kredinë?

Denoncuesi: Mirë! Ma nxirr pak llogarinë ta shikojmë.

Drejtori Ardit Islami: Ore, nuk ta nxjerr unë, o vëlla, se ka vajtur çështja në gjyq.

Denoncuesi: Po le të shkojë në gjyq, mo! Unë kam të drejtë të marr informacionin, që ta shikoj se ku jam.

Drejtori Ardit Islami: Nuk e merr informacionin, e merr në gjykatë.

Tanimë denoncuesit i mbetet vetëm të presë seancat gjyqësore, që ta zgjidhë përfundimisht këtë çështje. /tvklan.al






Të ngjashme