Nuk u paraqit në orar, Panucci përjashton Cikalleshin


Nuk u paraqit në orar, Panucci përjashton Cikalleshin

15:20 28/08/2017

Ende pa zhvilluar ndeshjen e parë në krye të Kombëtares së Shqipërisë, trajneri Christian Panucci ka pasur edhe përplasjen e parë me një lojtar të thirrur në grumbullim.

 Në një konferencë për shtyp para ndeshjeve me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë, Panucci tha se kishte lënë në shtëpi sulmuesin Sokol Cikalleshi pasi nuk ishte paraqitur në kohë në grumbullim.

 

Janë 23 lojtarë sepse këtë mëngjes pata një telefonatë nga Sokol Cikalleshi.  Më theksoi faktin se nuk mund të vinte në Kombëtare sepse duhej të ishte prezent në një mbledhje me skuadrën e re që do të firmoste.

Pasi e dëgjova i theksova faktin se nuk mund t’i jepja leje për të mos ardhur në Kombëtare sepse kontratat mund të firmosen edhe nëpërmjet e-mailit, ose edhe nëpërmjet menaxherit. Edhe sa u përket vizitave mjekësore mund t’i bënte edhe këtu sepse edhe këtu në Tiranë ka qendra.  Duke mos marrë avionin e orës 08:30, duke mos ardhur në orar në grumbullim siç edhe ishte njoftuar përpara, lojtari për këto dy ndeshje do të qëndrojë në shtëpi. Sepse ka disa rregulla, që i përkasin federatës dhe praktikës së punës që të gjithë duhet t’i respektojnë

, tha Panucci.

Cikalleshi i cili nuk është aktivizuar në ndeshjet e fundit me skuadrën e tij të Basaksehir në Stamboll mësohet se është në prag të nënshkrimit të kontratës me një klub tjetër, por ky nuk ka mjaftuar si justifikim për trajnerin e Kombëtares për të mos u paraqitur në kohë në grumbullimin para ndeshjeve me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë.

Sot në orën 18:00 nis seanca e parë stërvitore e kombëtares së Shqipërisë në Stadiumin Selman Stërmasi dhe të gjithë sportdashësit do të jenë të lirë ta ndjekin nga shkallët e stadiumit.

/tvklan.al






Të ngjashme