Nuland, të dielën në Tiranë
Zëvendësndihmës Sekretarja amerikane, Victoria Nuland do të rikthehet këtë të dielë në Tiranë, për t’u takuar me kreun e maxhorancës dhe atë të opozitës, vetëm 2 javë përpara se në parlament të hidhet për votim, drafti i Reformës në Drejtësi.
Nuland do të mbërrijë në Tiranë pas mesdite dhe takimin e parë do ta ketë me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, më pas do të zhvillojë takimin me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për ta mbyllur qëndrimin e saj vetëm disa orësh, me takimin me Kryeministrin Edi Rama.
Ajo që dihet është se Nuland do t’i kërkojë përfaqësueve të dy partive më të mëdha është gjetja e një kompromisi për draftin e Rerformës, e pikërisht konsesusin ende të munguar, për mënyrën e përzgjedhjes së përfaqësuesve të 2 institucioneve që do të bëjnë vetingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve, çka konfirmohet dhe nga Kryeministri Rama.
Në një intervistë nga Varshava, vizita e Nuland -it në Tiranës vlerësohet nga Kryeministri si dëshmi e vëmendjes së SHBA, për miratimin e Reformës në Drejtësi.
Por çka mbetet për t’u parë është se sa do t’ia arrijë Zv/Ndihmës Sekretarja të bindë Ramën dhe Bashën të gjejnë dakordësinë, çka ka dështuar deri tani t’ia dalë Ambasadori amerikan, i cili është i njohur tashmë si kryenegociatori mes palëve, për arritjen e konsensusit për këtë Reformë.
Ai është parë gjatë kësaj jave të zhvillojë takime në ambiente publike me disa deputetë demokratë, ndërsa i dërgoi një letër të gjithë përfaqësuesve të parlamentit, ku i kërkonte, veç të tjerash që, nëse udhëheqësit e tyre politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ta votonin Reformën.
Tv Klan