5 viktima nga koronavirusi në 24 orë
Konfirmohen 152 raste të reja, 148 të shtruar në spitale
Pacientët që humbën jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit janë 5 persona raporton Instituti i Shëndetit Publik.
“Në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 5 pacientë, një 50-vjeçare nga Tirana, një 74-vjeçar nga Fieri, një 70-vjeçar nga Elbasani, një 56-vjeçar nga Durrësi, një 74-vjeçar nga Burreli, me sëmundje bashkëshoqëruese”.
Me gjithë shtimin e ndjeshëm të testeve ditët e fundit, numri i rasteve të reja që konfirmohen me koronavirus ka mbetur në të njëjtat nivele. ISHP njoftoi se janë 152 raste pozitive këtë të dielë.
“Nga totali i testimeve, 152 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19”.
Ndërkohë është shtuar sërish numri i pacientëve në të dy spitalet Covid, ku numërohen 148 të shtruar, 19 prej të cilëve në terapi intensive.
“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 148 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 19 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 39 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”.
Sot ka qenë dita me numrin më të lartë të të shëruarve. 148 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID19, duke e çuar numrin e të shëruarve në 4332 që nga fillimi i epidemisë.
Tv Klan