Protestat për numërimin e votave “përplasin” mbështetësit e Trump dhe Biden


Protestat për numërimin e votave “përplasin” mbështetësit e Trump dhe Biden

10:50 05/11/2020

Nxehet situata në SHBA

Zgjedhjet presidenciale 2020 kanë kaluar çdo parashikim. Përveçse pati një rekord pjesëmarrësish, situata është nxehur pas deklaratave të Trump që ka bërë thirrje për të ndaluar numërimin e votave.

Në Portland të Oregonit u organizua një protestë kundër thirrjeve të Trump për të ndaluar numërimin e votave. Gjatë zhvillimit të protestës pati edhe episode dhune. Dëshmitarët treguan se disa prej pjesëmarrësve në tubime u shkëputën nga grupi kryesor dhe thyen xhamat e dyqaneve në qendër të qytetit.

Në Minneapolis, policia arrestoi disa persona pasi 200 demonstrues bllokuan një rrugë kryesore. Mediat amerikane thanë se grupi protestonte kundër Donald Trump dhe thirrjes së tij për të ndaluar numërimin e votimeve. Protesta të ngjashme janë mbajtur në Neë York, Philadelphia dhe Chicago.

Ndërkohë në Detroit, një nga zonat ë të nxehta ishin mbështetësit e Trump ata që dolën të protestonin. Mediat raportojnë se ata u mblodhën jashtë një qendre numërimi të votave, u binin xhamave të dritareve dhe bërtisnin: Ndaloni numërimin. Një grup i vogël njerëzish që protestonin kundër numërimit u raportua edhe në Arizona.

Këto dy zona janë kyçe për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve dhe në të dyja kryeson Biden me diferencë të lehtë./tvklan.al






Të ngjashme