Nxënësja rrëfen ngjarjen në Fier: Ndjemë erë acidi, mësuesja po shpjegonte mësimin


Nxënësja rrëfen ngjarjen në Fier: Ndjemë erë acidi, mësuesja po shpjegonte mësimin

18:14 28/02/2020

Të paktën 6 nxënës të shkollës së mesme “Janaq Kilica” u ndjenë keq gjatë orës së mësimit këtë të premte. Policia njoftoi se të rinjtë kishin të kollitura dhe vështirësi në frymëmarrje.

Ata u dërguan në spital për kontroll mjekësor, ku ndodhen në gjendje më të mirë shëndetësore. Ish-deputeti i PD-së në Fier, Luan Baçi, ka qenë në spital ku ka vizituar një prej nxënësve.

Ajo ka treguar se ngjarja ka ndodhur gjatë orës së biologjisë, ndërkohë që mësuesja po shpjegonte mësimin. Ajo u shpreh se u ndje një erë acidi në të gjithë katin.

“Ishim në orën e biologjisë dhe profesorja po shpjegonte mësimin. Ndjemë një erë acidi dhe dolëm të gjithë jashtë. Kaq. Pastaj filloi të ndjehej në të gjithë katin. Në rreshtin e dritareve janë ato të kaldajave, ndoshta prandaj plasi”, tha ajo.

Nga ana tjetër, babai i nxënëses tha se do të denoncojë të gjithë stafin e shkollës.

“Këta nuk po na japin asnjë lloj përgjigje nga se ndodhi kjo tani. Me kë  të përballemi ne tani. Erdha si baba tani unë këtu dhe s’di me kë të merrem. Na përplasën në një dhomë këtu. Pse ndodhi? U helmua nga ushqimi që i dhashë unë në mëngjes a u helmua në shkollë? U helmua nga dikush tjetër, nuk po e marrim vesh çfarë po ndodh tani. Unë do bëj denoncim me drejtor, si staf të gjithë atyre”, tha ai.

Sipas burimeve jozyrtare, ngjarja është shkaktuar nga një eksperiment i bërë gjatë orës së mësimit. Për pasojë lëshimi i substancave kimike ka shkaktuar tek nxënësit probleme shëndetësore.

Policia nuk ka dalë në një njoftim zyrtar për të sqaruar rrethanat e plota./tvklan.al






Të ngjashme