Obama: Nuk ndryshon angazhimi i SHBA në NATO


Obama: Nuk ndryshon angazhimi i SHBA në NATO

23:10 16/11/2016

Presidenti në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, mbërriti në Berlin, ndalesa e radhës e tij, në turin e fundit si kreu i shtetit. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Obama pati një darkë private me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Të dy liderët raportohet se do vijojnë të enjten takimin formal, që do të shoqërohet edhe me një konferencë të përbashkët për shtyp.

Më herët gjatë ditës, Presidenti amerikan tha nga Greqia se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe NATO-s nuk ndryshojnë pas zgjedhjes së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë. Duke folur në një forum mbi demokracinë, presidenti në detyrë nënvizoi se marrëdhëniet në aleancën ushtarake nuk do të cënohen me administratën Trump.

“Ne investojmë në NATO dhe ne jemi të gatshëm për të vepruar më shumë se kurrë. Shtatë dekada jemi të angazhuar në NATO dhe do të vazhdojmë të mbrojmë çdo aleatin tonin. Demokracia na bën më të fortë nga fondamentalistët dhe terroristët nga ata që nuk e tolerojnë mendimin ndryshe. Demokracia është më e fortë se Shteti Islamik”.

Obama nuk nguroi ta quajë Greqinë djepin e demokracisë duke vlerësuar kontributin e saj në krizën e emigrantëve, si edhe përsëriti se rruga e vetme për vendin janë reformat e shoqëruara me një lehtësim të borxhit.

Tv Klan






Të ngjashme