Obama: Trump të mos i nënshtrohet Rusisë
Nga Berlini ku po vijon turin e tij të fundit europian si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama paralajmëroi pasuesin e tij, Donald Trump të mos i nënshtrohet rregullave të Rusisë.
“Shpresoj që presidenti i zgjedhur të ketë qasje konstruktive ndaj Rusisë, por ai duhet të reagojë ndaj saj kur shkelen të drejtat e njeriut dhe normat ndërkombëtare”.
Obama nënvizoi se ka çështje si ajo e Sirisë apo aneksimi i Krimesë që kanë dallime thelbësore mes vendeve e që nuk mund të anashkalohen.
Ndër të tjera presidenti amerikan tha se ra dakord me Kancelaren Merkel se do të vijojnë sanksionet ndaj Rusisë, derisa kjo e fundit të ndryshojë qëndrim ndaj Ukrainës. Obama siguroi se pozicioni i SHBA -ve në NATO nuk do të ndryshojë në administratën Trump.
Kancelarja gjermane Merkel u shpreh e kënaqur dhe falenderoi Presidentin në ikje, për miqësinë dhe partneritetin në këto vite.
“Bashkëpunimi ynë në luftën kundër terrorizmit është shumë i rëndësishëm. Gjermania është e angazhuar në aleancën e NATO-s, ne kemi punuar shumë afër në Afganistan e gjithashtu në Krime dhe do të vazhdojmë të jemi të bashkuar”.
E thumbuar nga gazetarët nëse do të rikandidojë për një mandat të katërt, Merkel tha se do të përgjigjet në një moment më të përshtatshëm dhe se nuk është ky i sotmi.
Obama do të takojë të premten krerët e Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, për të diskutuar marrëdhëniet trans – atlantike, pas zgjedhjes së Donald Trump, President i SHBA -ve.
Turi i tij përfundon më 21 Nëntor, kur do të kthehet në Washington.
Tv Klan