Obama: Terroristët nuk do ta mundin kurrë SHBA-në


Obama: Terroristët nuk do ta mundin kurrë SHBA-në

21:15 11/09/2016

Në Shtetet e Bashkuara të dielën shënohet 15-vjetori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nga të cilat u vranë afro 3 mijë vetë.

Sulmet më 11 shtator, gjatë së cilave terroristët e al-Kaidës i rrëmbyen katër aeroplanë komercialë, ishin sulmet terroriste më vdekjeprurëse në tokën amerikane.

Dy prej aeroplanëve të rrëmbyer u përplasën në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke i shkatërruar Kullat Binjake.

Aeroplani i tretë u përplas në Pentagon në Uashington, ndërsa i katërti u rrëzua në Pensilvani, pasi udhëtarët i mposhtën sulmuesit.

Të shtunën në Nju Jork është mbajtur një ceremoni përkujtimore për t’i nderuar 343 zjarrfikësit, që humbën jetën, kur kullat u shkatërruan dhe u rrafshuan me tokë.

Këto sulme paraqesin sulmin e parë të jashtëm në tokën e Shteteve të Bashkuara, pothuajse në dy shekuj dhe në përgjigje të tyre, u ndërmor invadimi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan në vitin 2001.

Në video-fjalimin e tij javor, që është publikuar të shtunën nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se 11 shtatori 2001, ishte njëra ndër ditët “më të errëta në historinë e vendit tonë”, me ç’rast “afro 3 mijë jetë të pafajshme janë humbur”.

“Këtë fundjavë, ne përsëri e nderojmë kujtimin e tyre. Ne qëndrojmë me të mbijetuarit, të cilët ende bartin plagët e asaj dite. Ne u falënderohemi atyre që të parët u përgjigjën, që rrezikuan çdo gjë për t’i shpëtuar të tjerët”.

“Ne e përshëndesim një brez të amerikanëve – burrat dhe gratë tona në uniformë, diplomatët dhe inteligjencën tonë, sigurinë e brendshme dhe profesionistët e zbatimit të ligjit – që shërbyen dhe i kanë dhënë jetët e tyre për të ndihmuar që ne të jemi të sigurt”

, tha Barack Obama.

Më tej Obama theksoi: 

“Pas të gjithave, terroristët kurrë nuk do të jenë në gjendje tu shkaktojnë disfatë Shteteve të Bashkuara. Shpresa e tyre e vetme është për të na terrorizuar, për të na ndryshuar ne ose mënyrën e jetës sonë. Për këtë arsye ne amerikanët nuk do të frikësohemi kurrë. Për këtë arsye ne e përkujtojmë shpirtin e vërtetë të 11 shtatorit. Ne ende jemi Amerika e heronjve, që e kundërshtojnë të keqen, të njerëzve të zakonshëm që i mposhtën rrëmbyesit, i familjeve që dhimbjen e tyre e shndërruan në shpresë”.

Presidenti Obama është shprehur edhe për mënyrën e ballafaqimit kundër terrorit.

“Në ballafaqim me terrorizmin, është me rëndësi se si përgjigjemi. Ne nuk do të dorëzohemi para atyre që na ndajnë. Për shkak të diversiteteve tona, të trajtimit të secilit në mënyrë korrekte – pavarësisht nga raca e tyre, gjinia, etniciteti ose religjioni – kjo është pjesë e asaj që vendin tonë e bënë të madh”.

“Kjo është ajo që na bënë të qëndrueshëm. Dhe, nëse ne u mbesim besnikë këtyre vlerave, ne do ta mbajmë trashëgiminë e atyre që i humbëm dhe do ta mbajmë vendin tonë të fortë dhe të lirë. Zoti ju bekoftë, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”

, tha Barack Obama, në video-fjalimin e tij javor.(REL)/tvklan.al






Të ngjashme