Oboti vijon të jetë i bllokuar, 1910 hektarë tokë nën ujë
Situata e përmbytjeve në Shkodër vijon të alarmante. Në një njoftim nga Bashkia Shkodër, bëhet me dije se situata e përmbytjeve në terren vazhdon të jetë si më poshtë: hidrometri në Dajç në orën 08.30, shënon kuotën 6.42 m(Kuota maksimale 6.30 m); hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.30, shënon kuotën 8.70 m (Kuota maksimale 8.70 m) dhe hidrometri i lumit Drin në orën 08.30, shënon kuotën 7.05m. (Kuota maksimale 7.50 m).
Në të gjithë bashkinë sipërfaqja e përmbytur është 1910 hektarë tokë. Po ashtu bëhet me dije se vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta dhe është e kalueshme vetëm me mjete të larta pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80 cm.
Ujësjellësi Oblika 1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit dhe i gjithë furnizimi me ujë po bëhet nga Ujësjellësi i Shkodrës.
Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat. Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë dhe në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme.
Gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç./tvklan.al