OKB projekt për uzinën e Azotikut në Fier – (16 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Gjigandi i dikurshëm i Fierit, Azotiku, një nga veprat më të mëdha të industrisë kimike në vendin tonë, e ndërtuar përpara 35 vitesh, ka shumë kohë që nuk punon. Si rezultat i kësaj lënda e parë, që është përdorur gjatë kohës që azotiku ishte në punë, arseniku, me veti të theksuara toksike, vdekjeprurëse është futur në tre kolona të mëdha, që prej 22 vjetësh.
Një grup pune prej 26 specialistësh dhe personeli i sigurimit teknik të uzinës, punojnë 8 orë në ditë pranë kolonave ku është depozituar arseniku, për evitimin e rrjedhjeve të helmimit në ujërat e lumit Gjanicë. Shumë kompani të huaja kanë shprehur gatishmërinë, për të tërhequr arsenikun, nga kullat, por gjithçka ka mbetur në letër për mungesë fondesh.
Së fundi ky operacion i shumë pritur nga banorët e Fierit duket se do të bëhet realitet falë ndërhyrjes së OKB-së. Një grup specialistësh të saj për mjedisin, do të hartojnë një projekt për eliminimin e 800 metrave kub arsenik, që ndodhen të bllokuara në tri kolona metalike./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori