Operacionet e evakuimit, pa ndërprerje
Forcat e armatosura kanë vijuar pa ndërprerje punën për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura në Shkodër. Pasi kanë evakuuar më shumë se 130 persona të tjerë nga Dobraci, Trushi, Livadhe dhe Melgush, trupat e Brigadës së Reagimit të Shpejtë kanë furnizuar me ujë të pijshëm komunën Dajç, si dhe kanë shpërndarë më shumë se 11 ton ushqime.
Në zonën e Velipojës shpërndarja e ndihmave është mbikqyrur nga vetë Ministri i Mbrojtjes Arben Imami.
Mbi 15 ton ndihma janë transportuar nga mjetet e rënda të Ushtrisë, duke përfshirë dhe helikopterët në komunën Dajç dhe Guri i Zi.
Ministri Imami ishte edhe në Gjadër të Lezhës, ku kanë mbërritur edhe 2 helikopterë italianë, 30 deri në 35 vendësh, të cilët do të ndihmojnë autoritetet shqiptare në operacionet e evakuimit. Po sot Forcave të Armatosura u janë bashkuar rreth 29 efektiva të ushtrisë greke, 30 kosovarë dhe 3 ekpertë civilë italianë.
Polumbarët e Forcave Speciale kanë kryer matje nënujore në lumin Buna dhe në derdhje të këtij lumi, për të matur thellësinë. Tre ekspertë italianë dhe makineri të specializuara janë angazhuar për pastrimin e tabanit të lumit, në mënyrë që të rritet sasia e ujit që derdhet në det.
Ndërkaq Forcat Detare vazhdojnë të ruajnë gjatë gjithë kohës lumin Buna, duke kryer matje të vazhdueshme në distance të ndryshme për t’u paraprirë daljeve të mundshmë nga shtrati.
Për operacionin e ndihmës së të përmbyturve në Shkodër janë aktualisht më shumë se 300 forca ushtarake në gadishmëri, 149 mjete dhe 2 helikopterë.
Tv Klan