Operacioni antidrogë në Ballkan, arrestohen 14 persona ne Shqipëri


Operacioni antidrogë në Ballkan, arrestohen 14 persona ne Shqipëri

15:05 07/07/2016

Një operacion ndërkombëtar antidrogë është zhvilluar në “Ballkan”, në katër vende: Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe Bullgari, ku janë arrestuar 30 persona dhe 23 u shpallën në kërkim.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Turqi dhe Itali, DEA-n amerikane dhe SELEC kanë finalizuar një ndër operacionet më të gjera kundër narkotrafikut, të koduar “Ballkan”.

Gjatë hetimit rezultoi se furnizues me lëndë narkotike heroinë nga Turqia përmes ndërmjetësuesve turq dhe kosovarë, bënin dërgesa me lëndë narkotike nga Turqia për në Kosovë, Shqipëri dhe më pas Greqi apo vende të tjera të BE-së.

Në datat 6 dhe 7 korrik, me angazhimin e strukturave kundër narkotikeve në policitë vendore Tiranë, Durrës, Fier dhe Kukës, janë ekzekutuar urdhrat e Prokurorisë për Krime të Rënda, të nxjerra në bazë të vendimeve të Gjykatës pranë Shkallës së Parë për Krime të Rënda për 7 shtetas.

Hetimet nisën në vitin 2015 dhe zgjatën rreth 15 muaj. Ndërkohë më herët janë arrestuar edhe 7 persona të tjerë, ndërsa janë shpallur në kërkim 2 anëtarë të grupit kriminal.

Po kështu, segmente të këtij grupi bënin dhe dërgesa me marijuanë nga Shqipëria për në Maqedoni, Greqi apo Turqi. Pjesëtaret e këtij rrjeti dyshohet se kanë komunikuar dhe janë takuar si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, Greqi duke u dakordësuar për ngarkesat e lëndës narkotike dhe rrugët e tyre.

Nga hetimet e deritanishme është vërtetuar roli i personave të përfshirë dhe të arrestuar deri tani, si në Shqipëri dhe në vendet e tjera.

Të arrestuarit në Shqipëri

-Jurgen Molla, 38 vjeç, lindur në Lezhë e banues në Tiranë. Ai është bashkëpronar në firmën e ndërtimit “MOLLA shpk”, nën emrin e së cilës është ndërtuar një kompleks pallatesh në zonën midis Yzberishtit dhe Kasharit. Njihet edhe me emrin Miri Molla.

-Shyqyr Kotorri, 38 vjeç, lindur e banues në Kreshovë, Përmet, investitor në fushën e ndërtimeve

-Anesti Koromani, 35 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë, investitor në fushën e ndërtimeve.

-Nuredin Nazëraj, 63 vjeç, i njohur si Dilo Nazëraj, pronar i një hoteli luksoz në Vlorë

-Lulzim Qorri, 42 vjeç, lindur e banues në Grabian të Lushnjës;

-Denis Sinameta, i njohur si Roland LLeshi, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë.

-Blerim Ukimeraj, 39 vjeç, lindur e banues në Kosovë. /TV KLAN






Të ngjashme