Operacioni i gjerë antiterror në Itali
Kërcënimi terrorist që i kanoset Europës ka detyruar forcat e sigurisë në Itali të ndërmarrin një operacion të gjerë kontrolli ndaj automjeteve të tonazhit të rëndë dhe furgonave.
Më shumë se 27 mijë automjete janë kontrolluar në disa qytete ditët e fundit të gushtit, në vendet pranë qendrave të populluara dhe atyre historike. Sipas mediave italiane 157 automjete janë sekuestruar, por nuk jepen detaje nëse në to është gjetur materiale që lidhen me terrorizmin.
Autoritetet në vendin fqinj janë vënë në alarm maksimal pas informacioneve se terroristët pas Barcelonës, kanë vënë në shënjestër pikërisht Italinë. Për rrjedhojë, janë përforcuar masat e sigurisë.
Sulmi terrorist i 17 Gushtit në shëtitoren Las Ramblas konfirmoi edhe një herë pamundësinë e forcave të sigurisë për të parandaluar sulmet e kryera me makina të tonazhit të rëndë apo me furgona, atentate të ngjashme me atë të Nisës dhe Berlinit.
Tv Klan