Operacioni ndërkombëtar i drogës, arrestime edhe në Tiranë – (9 Shkurt 2001)


Operacioni ndërkombëtar i drogës, arrestime edhe në Tiranë – (9 Shkurt 2001)

15:57 09/02/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Nga Italia u njoftua sot, se ka përfunduar me sukses një operacion ndërkombëtar antidroge. Bilanci i këtij operacioni ishte nga më të bujshmit e arritur ndonjëherë. Kështu u sekuestruan dhjetë mijë kilogramë kokainë bashkë me dy anije të mëdha, u sekuestruan gjithashtu miliarda të holla në lireta dhe dollarë, si dhe u arrestuan 20 persona.

Hetimet arritën të hedhin dritë mbi një super trafik të kokainës, që transportohej me anije nga Amerika e Jugut për në Mesdhe. Agjencia italiane e lajmeve ANSA, bëri të ditur se qendra e pritjes dhe e shpërndarjes së drogës për të gjithë Europën, ishte Shqipëria, por falë një aksioni të policisë shqiptare, kjo qendër u shkatërrua. Bëhet fjalë për arrestimin e dy kryetrafikantëve Arben Përballa dhe Frederik Durda. Arrestimi i tyre në Tiranë është pasuar dhe me 20 arrestime të tjera në Itali dhe vende të ndryshme të Europës./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme