Operacioni ndërkombëtar i drogës, arrestohen dy shqiptarë – (3 Shkurt 2001)


Operacioni ndërkombëtar i drogës, arrestohen dy shqiptarë – (3 Shkurt 2001)

21:01 03/02/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Zbulohet dhe shkatërrohet një bandë ndërkombëtare droge me krerë shqiptarë. Si asnjëherë më parë, mbrëmë vonë policitë e disa shteteve në Europë dhe Amerikën Latine, kanë organizuar njëkohësisht një operacion për zbulimin e qendrave dhe trafikantëve të drogës. Në këtë kuadër dhe policia shqiptare e kryeqytetit arrestoi mbrëmë në një aksion blic, dy të rinj, anëtar me peshë të një organizate të madhe të drogës.

Frederik Durda dhe Arben Përballa, janë emrat e dy të arrestuarve të mbrëmshëm të siguruar tashmë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në shtëpinë e Frederikut, policia gjeti një milion dollarë kesh, fakt ky që tregon qartë pozitën e tij. Lajmin e konfirmuan sot zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme Visha dhe dy prokurorët e antimafies italiane, të ndodhur në Shqipëri për koordinimin e këtij operacioni.

Sipas prokurorit italian, operacioni i mbrëmshëm i kryer në vende si Venezuelë, Spanjë, Holandë, Itali, përfshirë dhe Shqipërinë, u konkludua me arrestimin e 21 personave, ku dy shqiptarët Durda dhe Përballa kishin një pozicion parësor. Rruga e transportit ishte, kokaina nisej nga Venezuela, vendi ku dhe prodhohej dhe me anije përfundonte në Europë, ku më pas drejtohej për në Shqipëri. Grupi të cilin ne sapo kapëm, konkludoi prokurori italian, kishte për synim shndërrimin e Shqipërisë në një vend gjigand të trafikut të drogës./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme