Operacioni ndërkombëtar kundër trafikut të armëve, Policia e Shtetit jep detaje


Operacioni ndërkombëtar kundër trafikut të armëve, Policia e Shtetit jep detaje

18:03 07/02/2017

Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me operacionin ndërkombëtar kundër trafikut të armëve, të zhvilluar mes 19 vendeve, ku u arrestuan 58 persona dhe u sekuestruan 48 armë zjarri, mbi 800 municione, 505 kilogramë marijuanë etj.

Në një njoftim për mediat, policia sqaron se operacioni i koduar "Ditët e Përbashkëta të veprimit, JAD 2017", bëri bashkë shtetet si: Shqipëria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Maqedonia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Holanda, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Britania e Madhe dhe SHBA (ATF - Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve).

Në bashkëpunim me Frontex dhe Europol, operacioni u zhvillua nga data 27 deri më 29 Janar 2017. Operacioni në fjalë u koordinua nga Qendra Operative e Europolit në Hagë dhe janë kryer kontrolle fizike, kryesisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Më tej, policia sqaron se Qendra Operative e Europolit, ka qenë dëshmitare e shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve pjesëmarrëse, lidhur me kontrollet në pikat kufitare të personave dhe automjeteve, si edhe të konfiskimeve e hetimeve të kryera. Afërsisht nga vendet pjesmarrëse janë kontrolluar 246 000 subjekte, duke përfshirë 219 000 persona dhe 14 800 automjete.

Si rezultat i këtyre veprimeve janë konfiskuar 48 armë zjarri si dhe 833 municione, 4 granata dore dhe rreth 500 gramë eksploziv plastik.

Gjithashtu në katër shtete është konfiskuar drogë e një sasie prej 505 kg e llojit marijuanë dhe 53 MDMA (substancë psikotropike), si edhe është parandaluar kontrabanda e mallrave të tjera si 765 pako cigare, duhan i pa përpunuar dhe një automjet i vjedhur.

Në total janë arrestuar 58 persona në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe janë ndaluar të hyjnë në pikat e kalimit kufitar 127 persona. Institucionet ligjzbatuese kanë identifikuar gjashtë përpjekje për hyrje klandestine, 12 raste të qëndrimeve përtej afatit kohor si dhe 8 raste të përpjekjeve të falsifikimit të vizave/dokumentave.

Gjatë ditëve të veprimit është shkëmbyer një sasi e konsiderueshme e informacionit në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyshëm ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, Frontex-it dhe Europolit. Ekspertët e Europolit kanë ofruar në kohë reale shkëmbimin e informacionit, analizën dhe përpunimin e të dhënave të mbledhura.

Oficerët e vendosur në pikat e ndryshme kufitare në Ballkanin Perëndimor janë ndihmuar nga Frontex. Ky veprim ishte pjesë e operacionit "Ditët e Përbashkëta të Veprimit – të Ballkanit Perëndimor", të planifikuara nën kuadrin e “EMPACT” për armët e zjarrit./tvklan.al





Të ngjashme