Operacioni ndërkombëtar, pranga dy vëllezërve shqiptarë në Bruksel
Dy vëllezër shqiptarë janë arrestuar në Bruksel, si vazhdim i operacionit ndërkombëtar të drogës, i nisur në 8 maj nga policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane.
Lajmi bëhet i ditur në një njoftim nga policia federale. Ata janë arrestuar të hënën, ndërsa ditën e martë gjykata i ka lënë burg për përfshirje në një organizatë kriminale dhe posedim të narkotikëve.
Arrestimet ishin pjesë e një hetimi ndërkombëtar, ku u shkatërrua një organizatë kriminale, që ka trafikuar tonelata me drogë nga Shqipëria, në Greqi, Spanjë, Holandë, Britaninë e Madhe, Austri, Belgjikë dhe Norvegji.
Sipas vlerësimeve të policisë fitimet e paligjshme të organizatës llogariten në qindra miliona euro. Gjatë arrestimit të dy vëllezërve shqiptarë janë sekuestruar: 100 kg hashash, 19,000 euro, dhe tre makina.
Të dielën policia greke ka arrestuar 15 persona, pjesë e këtij grupi kriminal. Në pranga kanë përfunduar 13 grek e 2 shqiptarë, ndërsa u sekuestruan rreth 700 kg kanabis që ishte nisur nga Shqipëria. Tani janë shpallur në kërkim nga policia greke dy kokat e kësaj organizate, ndër më të mëdhatë në Europë.
Sipas autoriteteve të policisë greke organizata drejtohej nga ish-zyrtari i transporteve në Sarandë, Klemend Balili i cili kishte si detyrë futjen e drogës në Greqi, ndërsa shqiptari tjetër Dhimitër Poti, biznesmeni nga Saranda, po sipas dosjes së policisë greke ishte përgjegjës për shpërndarjen e drogës në Evropë.
/tvklan.al