Operatorët turistikë letër Ramës: Liro rrugët dhe hap plazhet, po falimentojmë
Zinxhiri i sektorit turistik është më i godituri nga Covid-19. Në një letër të hapur për Kryeministrin Rama, përfaqësues të unionit të turizmit shqiptar shprehen se ky sektor momentalisht është i paralizuar.
“Aktualisht të gjithë operatorët turistikë, agjencitë e udhëtimit, transportuesit turistik, guidat turistike, ushtrojnë zero biznes dhe vetëm 70% e hoteleve janë të hapur, por edhe këto nuk janë efiçente për shkak të masave shtrënguese të lirisë së lëvizjes”.
Ndonëse baret dhe restorantet do të hapen nga 18 Maji për shërbim vetëm në ambientet e jashtme, sërish unioni kërkon lehtësim të mëtejshëm të masave.
“Kushtëzimi vetëm në ambientet e jashtme dhe kufizimi i lëvizjes deri në orën 17:30 do të jetë pengesë për vënien e plotë në efiçencë të tyre, pasi gjatë ditës njerëzit janë në punë dhe darkat ngelen më të frekuentuara nga qytetarët”.
Nëse nuk hiqen kufizimet dhe nuk hapen kufijtë mes vendeve, përfaqësuesit e turizmit thonë në letrën e tyre se ky sektor do të falimentojë.
Klan Plus