Opinion-Sa ndikon feja tek shqiptarët?
Autori: Blendi Fevziu
20:42 13/05/2021Të ftuar: Artur Zheji, Endri Shabani, Paulin Vilajeti, Ergys Mërtiri, Alba Bajraktari, Gerta Zaimi, Vladimir Kera. Në lidhje Skype: Dom Gjergj Meta.
Mërtiri: Sot shqiptari është bastardizuar si komb
“Sot shqiptari është bastardizuar si komb”. Kështu u shpreh këtë të enjte sociologu Ergys Mërtiri gjatë emisionit “Opinion”. Teksa në studio po flitej për ndikimin e fesë tek shqiptarët, sipas Mërtirit sot ne jemi pasardhës të njeriut të ri që krijoi Enver Hoxha gjatë diktaturës.
Sipas tij, njeriu i ri që krijoi diktatori, në thelb ishte degjenerim i kombit. Mërtiri tha se kjo ishte kulturalisht, shpirtërisht dhe ekonomisht. Ai shtoi se këto gjëra kanë efekte edhe në shoqërinë e sotme.
Ergys Mërtiri: Sot shqiptari është bastardizuar si komb.
Blendi Fevizu: Si është bastardizuar?
Ergys Mërtiri: Enver Hoxha prodhoi njeriun e ri i cili…
Blendi Fevizu: E kemi bastardizuar ne?
Ergys Mërtiri: Unë po përdor një fjalë, po e ekzagjeroj…
Artur Zheji: Me provokacion flasim, jam dakord.
Ergys Mërtiri: Njeriu i ri ishte degjenerim i kombit në thelb, kulturalisht, shpirtërisht, ekonomikisht dhe kjo do ketë efekte. Sot jemi pasardhësit e bijve të rinj të Enver Hoxhës.
Pastori që dikur ka qenë ateist
Pastori Paulin Vilajeti, i ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion” për të folur për fenë dhe ndikimin që ajo ka tek shqiptarët, zbuloi se dikur kishte qenë ateist. Pastori tregoi dhe se çfarë e kishte bërë të ndryshonte mendim.
Paulin Vilajeti: Unë nuk e kam pas besuar Zotin vetëm për shkak të njerëzve.
Blendi Fevziu: Si nuk e ke pas besuar Zotin?
Paulin Vilajeti: Kam qenë ateist edhe unë… Nuk e kam pas besuar vetëm për shkak të njerëzve që më thonin gjithmonë do të të…
Blendi Fevziu: Mos e thuaj më se nuk të erdhi më njeri…
Paulin Vilajeti: Po unë e besoj sot… dhe njerëz të cilët më thonin që do të vrasë Zoti. Dhe e bënin përpara meje Zotin si një person xhelat, hakmarrës, më shumë si një…
Blendi Fevziu: Dhe ti shkove të zbuloje Zotin?
Paulin Vilajeti: Në fakt kam qenë në Shkodër…
Blendi Fevziu: Mos më thuaj që e imagjinoje Zotin si këta të Elbasanit me pistoleta nëpër duar.
Paulin Vilajeti: Jo ashtu tamam. Por ka qenë një moment kur kam qenë në shkollë të mesme në Shkodër dhe aty dëgjova për persekutimin e disa priftërinjve katolikë dhe ka qenë një tmerr i paparë. Për herë në jetën time më erdhi kjo pyetje në mend: Nëse Zoti nuk ekziston, përse komunistët e kanë kaq frikë sa vrasin njerëzi që e besojnë atë. Nëse nuk ekziston, nuk ke nevojë. Dhe aty ishte pyetja e parë. Po, unë mendoj, Zoti ekziston./tvklan.al