Opinion-Kush janë shqiptarët e Pandora Papers?


Opinion-Kush janë shqiptarët e Pandora Papers?

Autori: Blendi Fevziu

21:30 04/10/2021

Të ftuar: Fatjona Mejdini, Besar Likmeta, Aranita Brahaj dhe Artan Hoxha.

Arrestohet burri vrasës i 18-vjeçares në Mal të Zi, zv/kryeministri: Tragjedi e jashtëzakonshme

Një ngjarje tragjike ndodhi në Mal të Zi disa ditë më parë ku një 18-vjeçare u vra nga dora e ftohtë e partnerit të saj. Autori pasi i mori jetën të resë, i vrau edhe gjyshen e i plagosi të atin.

Zv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, u pyet nga Blendi Fevziu në Opinion për këtë çështje ku tha se autori i kësaj ngjarje është arrestuar. Megjithatë ai u shpreh se duhet hapur një hetim për këtë ngjarje tragjike.

“Tragjedi e jashtëzakonshme. Mund të tregoj se është arrestuar personi që ka bërë vrasjen, por kjo nuk e kthen në jetë vrasjen. Ka pasur shumë reagime të ndryshme. Duhet hapur një investigim në çështjen e prokurorisë, pasi ai person ka qenë i lajmëruar në polici. S’kam çfarë me thënë pos një tragjedi e jashtëzakonshme. Edhe diçka që ndodh në shtete të tjera, çështjet e dashurisë, çështjet emotive ndonjëherë mbarojnë në mënyrë shumë tragjike”, tha Abazoviç.

Abazoviç: Nuk jam për ndryshimin e kufijve, por jam që të bëhen kufijtë e padukshëm

Zv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, gjatë emisionit “Opinion” ka folur edhe për Minishengenin. Ai u shpreh se kjo ide është afër ideve të tij personale. Sipas tij, kufijtë duhet të bëhen të padukshme, por jo të ndryshohen.

“Ideja e Minishengenit është shumë afër ideve të mia personale. Kemi pasur këtë diskutim edhe në qeveri. Ka opinione të ndryshme gjë që është normale. Në qeverinë e kaluar ka pasur anonimizitet ku Vuçic dhe Rama duan që të krijohet një supershtet ose diçka tjetër. Nëse e ardhmja jonë është në BE ajo duhet me qenë e ardhme pa kufij. Nuk jam për ndryshimin e kufijve, por jam që të bëhen kufijtë e padukshme. Ta shihni tabelën “Mirësevini në Shqipëri”, “Mirësevini në Mal të Zi”, por jo të pritni si turistë nëse doni të shkoni për vizitë”, tha Abazoviç.

Ura që do të shkurtojë udhëtimin drejt Malit të Zi, Abazoviç: 70 km zëvendësohen me 10 sekonda

Zv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka folur në emisionin “Opinion” për projektin që mund të lidhë Shqipërinë dhe Malin e Zi vetëm për disa minuta.

Bëhet fjalë për një urë në Velipojë që do të shkurtojë udhëtimin nga Shkodra deri në Ulqin. Sipas asaj që u shpreh Abazoviç, bëhet fjalë për një urë prej 190 metrash dhe ky projekt është diskutuar edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Sipas projeksioneve të para, projekti kushton 9 milionë Euro pasi do të ketë mekanizmin ku të lejohet edhe lundrimi. Abazoviç tha se ura do të kalohet për 10 sekonda dhe do të zëvendësojë 70 kilometra udhëtim.

“Nuk ka shumë me ik kjo punë. Kjo kushton me projeksionet e para 9 milionë Euro, për mekanizmin ku mund të realizohet lundrimi. Kemi konceptimin që kushton më lirë.

Urën keni me e kaluar për 10 sekonda që zëvendëson 70 kilometra. Ky është projekt i ri. Ekziston projekti më herët të bëhet autostrada adriatike. Ky është projekt që ka lidhje vetëm me zonën e poshtme, Ulqinit dhe Velipojës, por mund të jetë inkubator shumë i rëndësishëm për bizneset dhe jo vetëm. Nuk është çështje biznesi. Familjet dikur kanë shikuar njëri-tjetrin përmes kufirit. Kjo është diçka që është arritje kulturore, simbolike dhe historike”, tha Abazoviç.

Zv/kryeministri malazez u shpreh se kjo urë, nëse çdo gjë shkon sipas planeve mund të jetë gati për 2 vite.

Pandora Papers: Me dhjetëra shqiptarë të regjistruar në parajsat fiskale

Besar Likmeta është një prej gazetarëve shqiptarë i cili ka investiguar dokumentet e rrjedhura të njohura si Pandora Papers. Në studion e Opinion, ai thotë se janë me dhjetëra, shqiptarët të cilët rezutojnë të regjistruar në ato që quhen parajsa fiskale.

Besar Likmeta: Edhe në rastin e Shqipërisë ka dhjetëra nyje që kanë të bëjnë me entitetet të regjistruara në parajsa fiskale, qofshin persona, llogari bankare, adresa që gjendet tek dokumentet që mund të lidhen me persona që kanë shtetësi shqiptare.

Blendi Fevziu: Pra ju keni gjetur goxha persona me shtetësi shqiptare që janë të regjistruar në parajsën fiskale.

Besar Likmeta: Është e vërtetë dhe kjo nuk është një gjë e padëgjuar.

Blendi Fevziu: Sa? Ka një numër të përafërt?

Besar Likmeta: Me dhjetëra.

Blendi Fevziu:  Me dhjetëra shtetas shqiptarë, me pasaportë shqiptare dhe aktivë në Shqipëri?

Besar Likmeta: Ose mund të jenë disa persona të huaj që janë aktivë në Shqipëri. /tvklan.al






Të ngjashme