Opinion-Përse u largua drejtori i policisë? | Sa do të rriten çmimet?
Të ftuar: Mira Pogaçi, Sokol Nako, Gjergj Bojaxhi, Elton Haxhi, Pano Soko. Në lidhje me Skype: Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi
Çuçi: Ardi Veliu nuk u shkarkua, dha dorëheqjen pa presion
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi nga emisioni “Opinion” këtë të martë se Ardi Veliu e ka dhënë vetë dorëheqjen dhe nuk është shkarkuar nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Çuçi tha se mandati i Veliut ka qenë i suksesshëm.
Blendi Fevziu: Përse u largua drejtori i Policisë?
Bledi Çuçi: Dha dorëheqjen, absolutisht dha dorëheqje, ai ka gjykuar që të japë dorëheqjen, padiskutim është një dorëheqje që vjen jo e shtyrë dhe jo nën presion, por është një dorëheqje që ai e ka marrë në një moment dhe në një ushtrim të mandatit me shumë sukses sipas meje.
Blendi Fevziu: Si shpjegohet që lajmi doli rreth mesditës, ishit ju që latë të kuptohet që nuk është e vërtetë, dhe pastaj doli që ishte i vërtetë. Në cilën orë e ka paraqitur dorëheqjen dhe a ishit ju në dijeni kur ishit në komision?
Bledi Çuçi: E rëndësishme është që nuk kemi të bëjmë me shkarkim. Unë nuk e di si ka qarkulluar lajmi. Unë kam qenë në mbledhjen e komisionit për 2 orë e gjysmë dhe nuk e kam ndjekur gjithë dinamikën e ecurisë së lajmit, por është e vërtetë që drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu, ka dhënë dorëheqjen dhe nuk është shkarkuar, sepse nuk ka pasur arsye. Mandati i Ardi Veliut është një mandat i suksesshëm.
Blendi Fevziu: Kur e kishit informacionin që Ardi Veliu do të jepte dorëheqjen?
Bledi Çuçi: Informacionin e mora pasi mbarova Komisionin e Sigurisë në parlament që Ardi Veliu dha dorëheqjen.
Kush do të jetë Drejtori i ri i Policisë së Shtetit? Çuçi: Nano, një nga kandiaturat
Të mërkurën, pritet që të zbulohet emri i drejtorit të ri të Policisë së Shtetit. Në një lidhje direkte në Opinion, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, nuk pranoi të përgjigjej se kush do ta pasonte Ardi Veliun, i cili këtë të martë dha dorëheqjen. Por i pyetur nga Blendi Fevziu rreth lajmeve që po qarkullojnë se në këtë post mund të emërohet Gledis Nano, Çuçi tha se ai është një prej kandidaturave.
Kush do të jetë drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit? A është e vërtetë që keni diskutuar me kryeministrin, madje e keni vendosur pavarësisht se nuk është zyrtarizuar, emrin e zotit Nano.
T’ia lemë më mirë nesër, që të kemi lajme dhe për nesër.
Po jo ne kemi lajme të tjera për nesër, nuk ka problem ma jepni që sot meqë jemi në lidhje. Pra a do të jetë zoti Nano, drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit?
Nesër ne mbledhim qeverinë dhe besoj do vendoset. Zoti Nano është një nga kandiaturave, por nesër do vendosim në mbledhjen e qeverisë.
Protesta për rritjen e çmimeve, Çuçi: Policia, e pjekur mjaftueshëm për të menaxhuar çdo situatë
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se Policia e Shtetit është e pjekur mjaftueshëm për të menaxhuar situatat që lidhen me protestat.
Gjatë një lidhjeje live në emisionin “Opinion”, ku foli për dorëheqjen e Ardi Veliu nga drejtimi i Policisë së Shtetit, Çuçi iu përgjigj pyetjes së Fevziut nëse Ministria e Brendshme është e përgatitur për të menaxhuar protestat e mundshme lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama për rritje çmimesh.
Blendi Fevziu: A keni frikë që në ditët në vijim duke e lidhur edhe me deklaratat e kryeministrit për rritjen e çmimeve që mund të ketë protesta qytetare dhe a jeni të përgatitur për t’i menaxhuar ato?
Bledi Çuçi: Protesta është gjëja më e ligjshme në demokraci. E rëndësishme është të bëhen paqësore dhe besoj se policia ka pjekurinë e duhur për të menaxhuar çdo situatë që lidhet me protestat./tvklan.al