Opinion – Kriza, çfarë propozon opozita?
Basha: Pse duhen bërë më shumë testime
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ripërsëritur dhe njëherë kësaj radhe nga studio e emisionit “Opinion” në Tv Klan thirrjen për të bërë sa më shumë testime.
Kreu i selisë blu tha se Shqipëri ka numrat më të ulët të testimeve të koronavirusit në Europë. Por në këtë mënyrë, sipas tij, nuk kuptohet shkalla reale e infeksionit në vend.
Prandaj sipas Bashës, duhen bërë sa më shpejt testime të shumta pasi këto do të na ndihmojnë që të ndërpresin zinxhirin e transmetimit.
“Ne duhet të kemi informacion sa më të qartë për gjendjen. Nëse nuk testojmë, nëse nuk njohim gjendjen e vërtetë të infeksionit, nëse testimet vazhdojnë mbeten më të ulëtat ose nga më të ulëtat në Europë atëherë kuptohet që përmasat e infeksionit që ne dimë janë më të vogla se realet. Nëse nuk testojmë dhe evidentojmë personat që janë ,bartës apo të infektuar, do të zgjatet karantina, do të zgjaten efektet ekonomike, do të shtohen kostot e jetëve të humbura. I gjithë izolimi merr kuptim nëse kjo kohë përdoret për të testuar sa më shumë. Duke nisur me mjekët, policinë, administratën që është në shërbim.
Ne po kërkojmë prej më shumë se 3 javësh testim maksimal për personat që janë të ekspozuar dhe ata që janë infektaur dhe ata që janë rreth tyre. Nëse një person i infektuar evidentohet dhe ka qenë në kontakt me 12, 13 persona të tjerë, nëse nuk i testojmë ata kthehen në mbartës virusi vazhdon të përhapet. Prandaj duhen testuar sepse në këtë mënyrë ndërpresim apo kontribuojmë për të ndërpresë zinxhirin e transmetimit. Nëse nuk e bëjmë këtë atëherë na rroftë izolimi dhe distancimi social”, tha Basha.
Basha iu përgjigj edhe Kryeministrit Rama. Sipas kyedemokratit, Rama kërkon që të shndërrojë në debat politik diçka që nuk i përgjigjet dot.
Ai i bëri tirrje kreut të qeverisë që të ndalojë sulmet dhe retorikat politike ndaj opozitës.
“Dëshiron ta shndërrojë në debat politik atë që nuk i përgjigjet dot. Do të refuzoj të bëj debat sepse bëhet fjalë për jetën e shqiptarëve dhe sa kohë bëhet fjalë për jetë njerëzish kam refuzuar dhe do të refuzoj të bëj debat dhe të bëj retorika politike. Unë nuk lodhem t’i kërkoj kryeministrit të mos harxhojë më kohë me debat politik, as me retorikë dhe as me sulme”, tha Basha.
Lulzim Basha: 4 policë kanë rezultuar të infektuar me koronavirus
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se katër policë kanë rezultuar të infektuar me koronavirus.
Gjatë një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryedemokrati u shpreh se 4 policët punojnë në Komisariatin e Hasit.
Ndërkohë që Basha ngriti shqetësimin se 4 punonjësit e policisë kanë qenë në kontakt me kolegë të tjerë në Has.
“Katër efektivë të Policisë së Shtetit në Has kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Ky është raportimi që na vjen sonte në mbrëmje. Kanë qenë në detyrë gjatë gjithë këtyre ditëve. Kanë qenë në kontakt me qytetarët. Kanë qenë në kontakt me punonjësit e policisë në Komisariatin e Hasit. Shkoni dhe pyesni sot të gjithë kolegët në polici që kanë pasur kontakt me efektivët që kanë dalë pozitiv dhe që kanë pasur simptoma. Kërkojnë të bëjnë testin sepse kanë familje, kanë fëmijë, kanë bashkëshorte, kanë prindër dhe nuk ja u bën kush testin. Kjo nuk është normale. Kjo është kriminale. Prandaj kemi 3 javë që kërkojmë testim”, deklaroi Lulzim Basha.
Fevziu: Pse nuk takoheni me Ramën? Basha: I kërkoj vetëm një gjë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte i ftuar në emisionin “Opinion” këtë të hënë.
Kreu i demokratëve e vuri theksin e fjalës së tij tek testimet dhe paketa ekonomike e qeverisë. Basha i bëri thirrje qeverisë që të adoptojë propozimet e opozitës.
Kur gazetari Blendi Fevziu e pyeti Bashën se pse nuk takohet me Ramën, kreu i demokratëve tha se opozita shqiptare ka qenë më konstruktivja në Ballkan.
Ai i kërkoi vetëm një gjë kreut të qeverisë, “të mos humbasë kohë me sulme ndaj opozitës”.
Lulzim Basha: Tek propozimet tona ka shumë gjëra të dobishme, që i ka adoptuar në letër. E kam përshëndetur dhe i kërkoj t’i zbatojë.
Blendi Fevziu: Pse nuk i kërkoni një takim të bisedoni me të në këtë kohë krize zoti Basha? Edhe si gjest çlirimi dhe relaksimi do ishte. Edhe një lloj detyrimi do të ishte si ndaj tij dhe ndaj jush. Të kërkoni dhe bisedoni me të.
Lulzim Basha: Asnjë opozitë në Ballkan apo në Europë nuk ka qenë kaq konstruktive sa ne.
Blendi Fevziu: Asnjë opozitë sa kam parë unë këto kohë nuk është agresive në asnjë vend. Kam ndjekur Italinë, ka debat në SHBA, por në fund u unifikuan për paketën ekonomike.
Lulzim Basha: Roli ynë është të bëjmë gjithçka për jetën e qytetarëve. Ne kemi bërë propozime, kemi qenë të parët me propozime sa i përket shëndetësisë, njerëzve në nevojë dhe ekonomisë. Fakti që propozimet tona janë të dobishme është që një pjesë e tyre janë adoptuar dhe i përshëndes. E vetmja gjë që kërkoj është mos të humbasë kohë me sulme. /tvklan.al