Opinion/ Tahiri: Prokuroria nuk na dha autorizimin për arrestimin e Balilit


Opinion/ Tahiri: Prokuroria nuk na dha autorizimin për arrestimin e Balilit

22:27 19/05/2016

I ftuar sot në emision “Opinion” të gazetarit Bledi Fevziu, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka folur për disa nga temat më të nxehta të këtyre javëve.

Një ndër to ka qenë ajo për ish – Drejtorin e Transporteve të Sarandës, Kelmend Balilit, i cili akuzohet si një prej kokave të trafikut ndërkombëtar të drogës, e që aktualisht është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas Ministrit Tahiri, Policia e Shtetit i kërkoi disa herë Prokurorisë autorizim për arrestimin e Balilit, por ky autorizim nuk u dha.

I kam kërkuar Blushit të shkojë në Prokurori

Sa i përket një tjetër çështjeje, e cila ka qenë një ndër kryelajmet e ditës së sotme, ajo e kërcënimit të Deputetit të Partisë Socialiste, Ben Blushi, nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, Tahiri është pyetur nëse është në dijeni, nëse mesazhi i dërguar ndaj tij ishte kërcënues.

Ministri tha se për përmbajtjen e kërcënimit duhet pyetur Deputeti Blushi.

E kam kontaktuar vetë personalisht, që përveç komunikimit në foltore t’i drejtohet edhe instancave përkatëse pasi është vepër penale. Në rast se ka një kërcënim nga çdo personi, duhet ndjekur në rrugë zyrtare.”

Pyetjes nëse janë marrë masa për sigurinë e Deputetit, Tahiri iu përgjigj: 

“Unë nuk marr masa për çdo deputet që kërcënohet. Pavarësisht se e kam kontaktuar vetë. Ky është detyrim moral, personal, institucional. I kam kërkuar që përtej denoncimit publik, politik, të shkojë në Prokurori”.

Policia e Shtetit nuk ka asnjë pajisje që t’i afrohet përgjimit

Intervista e Ministrit të Brendshëm ndër të tjera është ndaluar dhe në debatin e shumëpërfolur mbi pajisjen e përgjimit.

Tahiri theksoi se kjo pajisje ka qenë gjithmonë në përdorimin e operatorëve italianë, ruajtjen e tyre dhe se janë trajnuar vetëm pesë operatorë të Policisë Shqiptare, trajnim i zhvilluar në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.

Në lidhje me mundësinë e përgjimit të kësaj pajisjeje, Ministri tha:

“Policia e shtetit ka një sërë pajisjesh, por nuk ka asnjë pajisje që t’i afrohet përgjimit. Policia italiane ka sjellë një aparaturë, që nuk ka mundësi përgjimi.”

Ndërsa i pyetur nëse është marrë leje nga Prokurori i Përgjithshëm, Tahiri u përgjigj:

“Unë jam shumë i qetë. Kjo pajisje nuk ka mundësinë fizike të kryejë përgjime. Këtë e thotë një letër e hartuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Alessandro Pansa”./tvklan.al






Të ngjashme