Opozita bojkoton sërish Kuvendin
Zgjati vetëm dy orë qëndrimi i opozitës në seancë plenare të se enjtes.
Menjëherë pas raportimit të Kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe fjalës përshëndetëse të Presidentes kroate, deputetët e opozitës braktisën punimet e kuvendit. Pjesëmarrjen në seancë e kushtëzuan me rikthimin për votim të ligjit për Teatrin Kombëtar.
“Nuk mund të qëndrojmë në një vend ku vidhet vota dhe kur nuk ka nevojë të bëhet kjo gjë”, tha Edmond Spaho.
Bojkotin e opozitës, maxhoranca e cilësoi alibi të radhës, për të mos dhënë konsensusin edhe pas thirrjes së Komisionerit Han për projektligjin që mundëson hapjen e pranimeve të reja në shkollën e magjistraturës. Ndaj dhe thirrjen Taulant Balla e pati për aleaten e saj të vjetër.
I vetmi debat që shoqëroi seancën plenare ishte ai mes ish-Kryeministrit Berisha dhe kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj, të cilin e ftoi të nxisë kontrollin ndaj vjedhjes që sipas tij Kryeministri po përgatitet të bëjë përmes ligjit të lojërave të fatit.
Sali Berisha: “A ju drejtove në fjalën tuaj “o hajdutë që u keni vjedhur 1.2 miliardë euro shqiptarëve, drejtoju me hajdutë herë tjerë. Kanë bërë ligj për Olsin dhe Geronin për lojërat e fatit, që t’u ulë 4 herë taksat.”
“I nderuar doktor mendoj se unë dhe KLSH kemi bërë punë kontrolluese. Po ta kisha kaluar në politike do të kisha fituar disa kreditë, por do të kisha rrezikuar institucionin”, tha Bujar Leskaj.
Por një ndërhyrje nga vendi e Ministrit Pandeli Majko solli reagimin e Berishës.
“Ti Pandeli mos fol më mirë, se ty të largojnë dhe të kthejnë prapë”, tha Berisha.
Tv Klan