Opozita: Drafti jonë për koalicionet, Kodi Zgjedhor ekzistues
“Gjiknuri bojkotoi mbledhjen, do të ndryshojë rregullat kur loja ka filluar”
Oerd Bylykbashi tha në fund të mbledhjes së Këshillit Politik se opozita paraqiti letrën me të cilën i është drejtuar OSBE/ODIHR për listat dhe koalicionet parazgjedhore. Ish-deputeti deklaroi se opozita kërkon ruajtjen e koalicioneve siç janë sot, ndërsa PS do të ndryshojë rregullat kur loja ka filluar.
“Ne kërkojmë ruajtjen e koalicioneve siç janë sot. PS do të ndryshojë rregullat kur loja ka filluar. E kemi përgatitur letrën në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. Sot PS refuzoi që t’i drejtohemi OSBE/ODIHR dhe përfaqësuesi i mazhorancës bojkotoi seancën. Shpresojmë që PS-ja të reflektojë”, tha Bylykbashi.
Nëse ligji miratohet pa konsensusin e opozitës, Bylykbashi tha se do të ishte jashtë standardeve ndërkombëtare.
“Jemi vetëm 6 muaj nga data e zgjedhjeve. Mazhoranca kërkon të ndryshojë mekanizmin që partitë marrin vota dhe votat kthehen në mandate. Venecia dhe ODHIR e kanë vijë të kuqe. Këto elemente thelbësore nuk ndryshojnë nëse kanë kaluar një vit. Ligji do të ishte jashtë standardeve kombëtare. Qëllimi i Këshillit është që të arrihet një marrëveshje konsensuale për të garantuar standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve”, tha Bylykbashi.
Për opozitën vijon të qëndrojë në fuqi marrëveshja e 5 Qershorit, por Rama sipas tyre duhet të japë llogari për ndryshimet kushtetuese. Ai u shpreh se drafti i opozitës për koalicionet në zgjedhjet e ardhshme është Kodi Zgjedhor ekzistues.
“Për ne ajo që është rënë dakord më 5 Qershor qëndron dhe s’ka nevojë të ndryshojë. Opozita ka për draft kodin ekzistues sa i përket koalicioneve. Ata që duan ta ndryshojnë dhe në shkelje të standardeve është mazhoranca. Duhet t’i japë llogari opinionit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm, për këtë i drejtohemi ODIHR-it”, tha Bylykbashi. /tvklan.al