Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit Politik: Deklaratat e mazhorancës synojnë krijimin e ngërçeve politike
Mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore nuk është pritur mirë nga opozita jashtë parlamentare. Përmes një letre drejtuar dy bashkëkryetarëve të këtij komisioni, Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit, dy përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, kërkojnë mbledhjen e Këshillit Politik.
“Kërkojmë nga ana juaj: konfirmimin për të zhvilluar mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e diel, datë 10.05.2020, ora 11:00 ose ditën e hënë, datë 11.05.2020 ora 10:00, me këtë rend dite: Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 Maj 2020. Vlerësimin e përfaqësuesve të mazhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik. Çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik”, thuhet në letër, ku theksohet se mbledhja do të zhvillohet në kushtet e sigurisë të diktuara nga epidemia e COVID-19, duke respektuar të gjitha kërkesat e autoriteteve shëndetësore që garantojnë jetën dhe shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.
Në letër thuhet se bllokimi i Reformës Zgjedhore ka qenë një sjellje e hershme e qeverisë. Bylykbashki dhe Vasili thonë se puna në Këshillin Politik u ndërpre për shkak të emergjencës shëndetësore dhe që nga ai moment nuk ka pasur një ftesë nga ana e qeverisë për rinisjen e punës.
Opozitarët jashtë parlamentare janë kundër deklaratave të Gjiknurit këtë të hënë sipas të cilit mazhoranca është e gatshme ta kalojë dhe të vetëm reformën, që është kusht për çeljen e negociatave dhe kujton kartonët jeshilë që kanë në dispozicion në Kuvend.
Ky koment sipas opozitës synon krijimin e ngërçeve politike artificiale.
“Deklaratat nga ana juaj për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për anëtarësim”.
Opozita garanton që është e përkushtuar për këtë reformë zgjedhore që sipas tyre është shumë e rëndësishme për çeljen e negociatave./tvklan.al