Opozita: Qeveria nuk ka asnjë strategji për daljen nga kriza


Opozita: Qeveria nuk ka asnjë strategji për daljen nga kriza

16:13 23/04/2020

Koalicioni opozitar ka dalë në një deklaratë të përbashkët për shtyp këtë të enjte në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi. Sipas opozitës, shteti duhet të jetë në krah dhe funksion të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.  Me shqetësim, opozita sheh të paktën tre pika; testet, ndihmat financiare dhe fondet për përballimin e krizës.

“Me shqetësimin më të madh për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për ne është e papranueshme që 6 javë pas shpërthimit të epidemisë, qeveria:

1. Ka bërë mesatarisht vetëm 110 teste në ditë, për mbi 2,6 milionë banorë.

2.Ka lënë jashtë ndihmës financiare mbi 750 mijë qytetarë dhe nuk ka shpërndarë ndihmën e premtuar për mijëra të tjerë.

3. Nuk ka akorduar fonde të mjaftueshme për përballimin e krizës, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon”, thuhet në deklaratë, ku ndër të tjera shtohet se vlerësojnë që qeveria është treguar e paaftë dhe ka dështuar për menaxhimin e krizës.

Sipas koalicionit opozitar faktet tregojnë se qeveria po improvizon dhe nuk ka asnjë strategji për daljen nga kriza.

“6 javë pas nisjes së emergjencës, numri zyrtar i të infektuarve të sotëm mbetet i lartë si në ditët e para të pandemisë. Qeveria refuzoi mbylljen e fasonerive dhe bizneseve të tjera me risk të lartë infektimi dhe i ktheu ato në vatra përhapje, siç vërtetojnë rastet në Krujë, Kurbin, Kamëz dhe Shkodër. Kjo krizë e rëndë konfirmoi se për kryeministrin prioritet janë një grusht klientësh, me të cilët grabit taksat e shqiptarëve. Në vend që të financojë ekonominë për të mos mbyllur vendet e punës, Edi Rama zgjedh të vazhdojë pagesat prej mbi 100 milionë euro për disa koncesione korruptive”.

Koalicioni opozitar i bën thirrje qeverisë për rishikimin urgjent të paketave ekonomike, në mënyrë që askush që është prekur nga kriza, të mos përjashtohet nga ndihma si dhe për anulimin e menjëhershëm të koncesioneve.

“Transparencë për çdo qindarkë të shpenzuar për përballimin e krizës dhe kërkon hetimin urgjent të rasteve të korrupsionit të bëra publike. I bëjmë thirrje qeverisë të bëjë publike kontratat e klasifikuara sekret, dhe i kërkojmë Prokurorisë të nisë hetimin urgjent të rasteve të korrupsionit të bëra publike gjatë emergjencës. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë sesi po shpenzohen paratë e taksave të tyre për të cilat kanë aq nevojë sot”, thuhet në deklaratë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi në mesditë krerët e partive aleate për të diskutuar mbi qëndrimin e unifikuar të opozitës për mënyrën e përballimit nga qeveria të situatës së krijuar nga Covid-19.

Takimi i mesditës erdhi në një kohë kur parlamenti zgjati edhe me dy muaj, deri në 23 qershor gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore.

/tvklan.al






Të ngjashme