Opozita sot në protestë, këto janë rrugët e bllokuara
Tiranë, 13 Maj 2017 – Opozita zhvillon sot protestën e paralajmëruar që do të nisë në orën 12:00 pranë Kryeministrisë. Një ditë më parë, kreu i saj, Lulzim Basha tha se manifestimit paqësor të opozitës do t’i bashkohen mijëra qytetarë në mbështetje të kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme.
Por, nga ana e saj Policia e Shtetit deklaroi se Partia Demokratike ende nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat për tubimin që do të mbajë.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve dhe organizuesve të protestës që të respektojnë ligjet.
Policia publikoi edhe detaje rreth rrugëve që do të bllokohen dhe akseve ku do të jetë i ndaluar parkimi i automjeteve.
Rrugët e bllokuara:
Nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës do të qëndrojnë të bllokuara Rruga “Papa Gjon Pali i dytë”.
Nga ora 11:30 do të bllokohen Sheshi “Skënderbej”, Rruga “Myslym Shyri”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” si dhe një pjesë e Bulevardit “Bajram Curri”.
4 mijë efektivë policie dhe forca speciale do të jenë të angazguara ditën e sotme. Në gadishmëri janë edhe 1 mijë punonjës të Gardës së Republikës./tvklan.al