Opozita: Të gatshëm për t’u kthyer në Këshillin Politik


Opozita: Të gatshëm për t’u kthyer në Këshillin Politik

16:52 17/07/2020

“Por pa penguar miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit”

Përmes një deklarate për mediat, opozita e bashkuar ka shprehur gatishmërinë për t’u kthyer në Këshillin Politik për të diskutuar të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet. Megjithatë, opozita shton se kjo duhet bërë pa penguar apo vonuar miratimin pa ndryshime të marrëveshjes së arritur më 5 Qershor mes palëve.

Në deklaratë sqarohet se PS është e obliguar për shkak të marrëveshjes së 14 Janarit dhe të 15 Qershorit që diskutimet për çështjet në lidhje me reformën zgjedhore t’i parashtrojë në Këshillin Politik.

“Rikonfirmojmë qëndrimin tonë se nëse Partia Socialiste është vërtetë e interesuar për të diskutuar mbi çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit t’i parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Për vijimin e punës në Këshillin Politik palët kanë dakordësuar edhe në pikën 11 të Marrëveshjes së 5 Qershorit. Opozita e Bashkuar shpreh gatishmërinë të vazhdojë diskutimin dhe punën në Këshillin Politik për çdo temë dhe çështje që lidhet me zgjedhjet, duke nisur nga sot, por pa penguar apo vonuar miratimin pa ndryshime, sa më parë të dakordësisë së 5 Qershorit”, thuhet në deklaratën e opozitës.

PD dhe aleatët e saj rikonfirmuan se i qëndrojnë marrëveshjes së arritur më 5 Qershor dhe apelit të ndërkombëtarëve për miratimin e saj sa më parë në Kuvend, pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme.

“Ndryshimet kushtetuese, të hartuara në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste, jashtë Këshillit Politik dhe pas Dakordësisë së 5 Qershorit, prishin marrëveshjen e arritur mes palëve. Këto ndryshime kushtetuese të njënashme bien ndesh edhe me traditën 30 vjeçare të miratimit të rregullave elektorale, që janë bërë gjithmonë me gjithëpërfshirje dhe konsensus, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve tek zgjedhjet dhe forcimin e demokracisë pluraliste”.

Opozita thotë se çështjet e dakordësuara në 5 Qershor duhet të aprovohen pa asnjë ndryshim dhe pa vonesa të mëtejshme për të mundësuar zbatimin e dispozitave të reja zgjedhore, duke përfshirë ngritjen e KQZ së re dhe fillimin nga puna për zbatimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve.

“Për pasojë, çdo diskutim tjetër, sipas Marrëveshjes, NUK mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit, si dhe duhet të jetë në përputhje me Rekomandimet dhe praktikat më të mira të OSBE dhe Komisionit të Venecias“.

Reagimi i opozitës vjen menjëherë pas deklaratës së Kryeministrit Rama i cili u shpreeh i gatshëm që të marrë pjesë në tryezën e Këshillit Politik për të disksutuar mbi ndryshimet kushtetuese dhe kundërshtive që ka Partia Demokratike. Kreu i qeverisë u shpreh se akoma më mirë do ishte që në këtë tryezë të marrë pjesë edhe kreu i PD Lulzim Basha dhe Presidenti Ilir Meta./tvklan.al






Të ngjashme