Orban: Nuk dua një lidership të Francës në BE
Figura e fortë dhe pro-europiane që ka krijuar Emmanuel Macron që në vitin e parë si President i Francës, ka ngjallur pakënaqësinë e populistëve brenda BE. Një prej zërave kryesorë të tyre, kryeministri hungarez Viktor Orban lëshoi një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shefit të Elizesë në një intervistë për gjermanen BILD. Duke iu referuar zgjedhjeve të majit të ardhshëm për Parlamentin Europian që ai i cilësoi vendimtare, Orban tha se nuk do një BE të udhëhequr nga Franca.
“Gjermanët duhet të jenë të vëmendshëm. Ka një koncept francez që në thelb ka një domethënie. Lidership francez ne Europë, i paguar nga paratë gjermane. Kjo është diçka që unë e refuzoj. Ne nuk duam një lidership francez. Duhen pritur zgjedhjet europiane përpara se të merren vendime të rëndësishme si ai për Buxhetin e Unionit apo për emigrantët.”
Deklarata e kryeministrit hungarez në intervistën për gjermanen BILD, ishte një kundërpërgjigje të qëndrimit të Macronit pak javë më parë, i cili tha se kufijtë e vërtetë të Europës janë ato që ndajnë “progresistët” nga “nacionalistët” dhe se përballje mes tyre do të jetë qendra e Europës në zgjedhjet e 2019-ës.
Përplasja mes Orban e Macron i ka fillesat që në 2017-ën, kur kryeministri hungarez mbylli kufijtë për emigrantët e ardhur nga vendet e luftës.
Tv Klan