Orë jashtë mësimit në Bankën e Shqipërisë
Ata janë vizitorët më të rregullt të Muzeut në brendësi të Bankës së Shqipërisë. Mesdita e së enjtes ishte parashikuar për nxënësit e klasës së dytë të shkollës “Servete Maçi” në Tiranë për të marrë edhe më shumë njohuri mbi historinë e monedhës dhe kartëmonedhës shqiptare.
Vizita e shoqëruar me shpjegimet e specialistëve nis me katin e parë të muzeut, për t’u zhvendosur në të dytin. Ajo merr edhe më vlerë në javën globale të parasë, që për 2018 vjen me lajtmotivin: “Ç’të mbjellësh do të korrësh”.
Jo vetëm informacion, por edhe lojëra që zhvillojnë imagjinatën e fëmijëve, i vënë ata përballë pyetjeve për paranë apo në garë me njëri-tjetrin, si në rastin konkret, kur specialistja në Zyrën e Botimeve dhe Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë u ka dhënë një detyrë.
“Kemi një kartëmonedhë origjinale dhe një kartëmonedhë të falsifikuar. Ato duhet të identifikohen tek ndryshimet
“, thotë Elsa Zhulali, specialiste në zyrën e Botimeve dhe Kërkimeve në BSH.
Elsa, që të paktën tre herë në javë pret më dhjetëra grupe nxënësish kryesisht të 9-vjeçares, thotë se përveç se janë kuriozë, njohuritë e tyre mbi paranë janë të admirueshme.
Jo vetëm se është java globale e parasë, por edhe për të shenjuar vizitën e tyre në këtë muze, në mbyllje të kësaj ore jashtë mësimit, ka dy dhurata. Një dosje e pasur me informacione për Lekun, si ta vlerësojmë atë dhe një foto me fytyrën e tyre të stampuar në një nga prerjet e kartëmonedhës shqiptare.
Tv Klan