OSBE-liderëve politikë: Respektoni legjislacionin në fuqi
Kryetari i radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, shprehu sot shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, të cilat sipas tij, mund të thellojnë më tej krizën politike dhe të çojnë në ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore.
Në një deklaratë të OSBE, Lajčák u bëri thirrje udhëheqësve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë legjislacionin në fuqi, si edhe rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse.
Ai theksoi pritshmërinë e tij se udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre, brenda kufijve kohorë të vendosur nga kuadri ligjor shqiptar.
Gjithashtu, ai shprehu besimin e tij se Shqipëria është e aftë ta trajtojë vetë situatën, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe ligjore dhe se do të gjejë një zgjidhje, e cila do t’i mundësojë vendit të përqendrohet në sfidat e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë.
/tvklan.al