OSBE-ODIHR kundër ligjit për reklama falas
OSBE ODIHR konstaton se ligji i miratuar sipas marrëveshjes Rama – Basha për të detyruar televizionet private që të transmetojnë falas reklamat e partive politike gjatë fushatës elektorale, është në kundërshtim të hapur me Kodin Zgjedhor. Ne raportin e dytë të ndërmjetëm, Misioni Vëzhgues i ODIHR për zgjedhjet nënvizon se ky fakt u është vënë në dukje institucioneve dhe nga mediat, që kanë deklaruar se nuk do t’i zbatojnë këto ndryshime, të cilësuara si anti-kushtetuese.
“Marrëveshja solli ndryshime të ligjit për partitë politike, duke detyruar mediat private të sigurojnë minutazh falas për reklamat politike të partive, që garojnë në zgjedhje. Përveç kësaj reklamat politike me pagesë u ndaluan për këto zgjedhje, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Më 25 maj, 10 media private paraqitën në KQZ një letër, duke deklaruar, që ata do të zbatojnë Kodin Zgjedhor dhe nuk do të zbatojnë ndryshimet, të cilat i konsiderojnë si jokushtetuese”.
Misioni Vëzhgues i ODIHR thekson se marrëveshja politike e 18 majit, solli ndryshime të sforcuara ligjore, që nuk prekën Kodin Zgjedhor, por e sfiduan atë, duke vënë në vështirësi punën e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve.
“Diskutimet për të ndryshuar kuadrin ligjor zgjedhor pas zgjedhjeve të fundit u bllokuan për shkak të ngërçit politik. Megjithatë, Marrëveshja përfshiu disa ndryshime të vonshme, duke përfshirë fushatën, financat e fushatës, median dhe krimet zgjedhore. Këto ndryshime u kritikuan nga disa bashkëbisedues të OSBE/ODIHR-it për miratimin e tyre të vonuar, mospërputhjen me Kodin Zgjedhor, dhe mungesën e konsultimit paraprak, duke rezultuar në sfida ligjore dhe praktike për autoritetet dhe pjesëmarrësit në garë
”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është sfiduar dhe vene në vështirësi nga ligji i miratuar me nxitim dhe pa konsultim edhe përsa i përket zbatimit të legjislacionit për reklamat. Kjo për faktin se ligji për Partitë Politike që parashikon reklama politike pa pagesë është në kundërthënie me Kodin Zgjedhor, që është edhe ligji themeltar mbi të cilin ushtron funksionet KQZ, i cili thotë se reklamat paguhen.
Televizionet kryesore ne vend iu drejtuan me një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke i bërë me dije se do të respektonin vetëm Kodin Zgjedhor, pasi sipas juristeve, ndryshimi i ligjit për partitë politike, pa ndryshuar edhe dispozitën e kodit zgjedhor, e bën nul atë.
Tv Klan