“Ose rrini, ose ikni”, 900 diplomatë kundër Trump
Departamenti amerikan i shtetit ka konfirmuar se rreth 900 diplomatë amerikanë në gjithë botën po protestojnë kundër ndalesës së përkohshme të presidentit, Donald Trump, për refugjatët dhe vizitorët nga 7 vende me shumicë myslimane.
Në shenjën e fundit të mospajtimit të ashpër me urdhrin ekzekutiv të presidentit të paraqitur javën e kaluar, zyrtarët thanë se po qarkullon një memorandum në departament, ku të punësuarit mund ta shprehin kundërshtimin e tyre ndaj politikave zyrtare.
Një ditë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka shkarkuar një zyrtare të lartë të Departamentit të drejtësisë, për refuzimin që të mbrojë urdhrin në gjykatë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, u ka tërhequr vërejtjen diplomatëve të karrierës se “kjo është për sigurinë e Amerikës” dhe se ata “ose duhet të pajtohen me program ose mund të shkojnë”.
Diplomatët janë ankuar se urdhri do t’i përkeqësoj raportet me vendet myslimane, do ta nxitë një ndjenjë antiamerikane dhe do t’i dëmtoj ata që kanë arsye legjitime për t’i vizituar Shtetet e Bashkuara.
Ata theksojnë se kjo politikë “shkon kundër vlerave themelore amerikane për jodiskriminim, korrektësi dhe mirëpritje të ngrohtë”.
Me urdhrin ekzekutiv të presidentit, Donald Trump, u ndalohen vizitat shtetasve nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, për 90 ditë.
Të gjithë refugjatëve u është ndaluar hyrja për 120 ditë, ndërsa ata nga Siria janë bllokuar pa një kohë të caktuar./ tvklan.al