OSHEE jep sqarime për ndërprerjen e energjisë gjatë derbit
Pas ndërprerjes së energjisë elektrike gjatë kohës që po luhej derbi Tirana – Partizani, ka reaguar OSHEE. Në një deklaratë për mediat, Operatori i Shpërndarjes ka njoftuar se shkak ka qenë një defekti në N/stacionin Qendër (kontakt i dobët në çelësin kryesor 20 kV të transformatorit të fuqisë), disa fidra u stakuan duke lënë pa energji elektrike një pjesë të qendrës të Tiranës.
Deklarata e plotë:
OSHEE u ka bërë të ditur çdo institucioni që të njoftojnë kompaninë e shpërndarjes për çdo event të mundshëm për marrjen e masave shtese, siç janë lidhjet me linja të tjera ose vendosja e gjeneratorit.
Në rastin e ndeshjes së futbollit, OSHEE shpreh keqardhje për situatën e krijuar, por sqaron se nga ana e organizatoreve nuk ka marrë asnjë njoftim për suport shtesë me energji elektrike.
Prej muajit Korrik kur stadiumi kaloi në administrim privat, OSHEE nuk është njoftuar për asnjë masë shtesë.
Pavarësisht mosnjoftimit nga ana e drejtuesve të stadiumit, për ndeshjen e sotme, OSHEE mori përsipër dhe u angazhua për suport të dhënies se sigurisë së dyfish për furnizimin me energji elektrike, por punonjësit tanë nuk janë lejuar!
Aktualisht kanë marrë energji elektrike zonat: Selvija, ish-blloku, qendra ku janë ministritë, rruga e Durrësit, blloku i Mansadave.
Vijojnë të mbeten pa energji një pjese e Vasil Shantos, Myslym Shyri, etj.
Ndërkohë në një tjetër njoftim, OSHEE tha se defekti në n/stacionin Qendër u riparua dhe aktualisht kanë marrë energji të gjitha zonat që u prekën nga ky defekt./tvklan.al