Osmani kërkesë Shqipërisë: Miratoni rezolutën që dënon genocidin serb
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh dhe presidente në detyrë Vjosa Osmani u është drejtuar me një mesazh deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Osmani në fjalën e saj tha se Shqipëria duhet të miratojë një rezolutë për të dënuar krimet Serbe. Ajo shtoi se Serbia është ajo që ka kryer krime në Kosovë dhe jo Kosova, prandaj nuk duhet që historia të përmbyset.
“Sot dialogu me Serbinë i pambyllur dhe ne duam vetëm njohje të ndërsjellë. Kosova nuk mund të shpërblejë Serbinë me territorin e saj, e as të bëj më koncesione të tjera. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje dhe të dënohet. Prandaj dhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendit që të bashkohet e të miratoj rezolutën për dënimin e gjenocidit serb. Asnjë në trojet shqiptare të mos ketë preokupim që të shpëtojë fytyrën e Serbisë. Në mënyrë që zëri ynë të kumbojë gjithkund, zëri ynë të bashkohet. Drejtësi për fëmijët, drejtësi për motrat tona që u dhunuan nga serbët, drejtësi për nënat që kanë humbur bijtë e tyre dhe nuk kanë një vend ku mund të derdhin lot.
Askush nuk mund t’i kërkojë Kosovës që të janë asnjë më shumë, ajo më dhënë shumë, ka dhënë mbi 1 mijë fëmijë. E kemi detyrë kombëtare, e detyrë njerëzore e morale, ta mësojmë e ta kuptojmë kapitullin që qëndron para nesh dhe të ndihmojmë njëra-tjetrën. Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet të bashkojmë forcat, që të mos lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. E vërteta është se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe Kosova mbrojti pragun e saj”, tha Osmani.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës po ashtu në fjalën u dërgoi dhe një mesazh të rinjve që të mos dorëzohen kurrë për ëndrrat që ata kanë.
“Sot dhe këtu dhe kurdo herë do të flas me këtë zë dhe do kërkoj që të njihet historia e Kosovës. Pavarësia ka vulosur jo vetëm fatin tonë, por fatin e të gjithë popujve në Ballkan. Historinë në e kemi në krah, do u jemi mirënjohës të gjithë miqve që na ndihmuan. Unë dua të thërras të rinjtë e vendeve tona që të ndjekin synimet e tyre dhe të mos dorëzohen para asnjë sfide. Një ditë ata do jenë aty ku duan, në majat më të larta të politikës dhe biznesit”, u shpreh Osmani.
Në fund Osmani pati dhe një kërkesë për qeverinë, pasi tha se mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të ketë asnjë tra që t’i ndajë.
“Duhet t’i tregojmë botës mbarë se mund dhe duhet t’ia dalim. Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Na lini të vijmë në Shqipëri siç deshën të vinin të parët tanë”, theksoi ajo./tvklan.al