Osmani refuzon kërkesën e Thaçit


Osmani refuzon kërkesën e Thaçit

15:50 04/03/2020

Presidenti: Do flas në media dhe do mbledh partitë

Negative ia ka kthyer përgjigjen kryetarja e Parlamentit të Kosovës Vjosa Osmani, Presidentit Hashim Thaçi, ku ky i fundit kishte kërkuar t’u raportonte deputetëve për vizitën e tij në SHBA.

Në përgjigjen e saj kryeparlamentarja Osmani ka shkruar se në përputhje me praktikat e mëhershme, kërkesa për t’ju adresuar Kuvendit duhet të dërgohet disa ditë më herët .

Ajo në përgjigje thotë se kërkesa e tij do të trajtohet në mbledhjen e parë të kryesisë pas datës 9 Mars meqë deputetët e Kuvendit më datat 5, 6 dhe 7 Mars janë të angazhuar në organizimet që mbahen për nder të epopesë së UÇK-së, kurse më 9 Mars Kuvendi do të organizojë një seancë me qëllim të sensibilizimit të opinionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Presidenti ka thënë se është e drejtë e qytetarëve që të njoftohen për atë se çfarë ka ndodhur në SHBA.

Mundësia e vetme e imja është që t’u drejtohem qytetarëve përmes konferencës për shtyp. Të përcillet ajo që ka ndodhur në Uashington, e vërteta e tërësishme e këtij procesi, sepse jam i vendosur që i tërë angazhimi të jetë plotësisht transparent”, thotë Presidenti Hashim Thaçi.

Thaçi nuk dha përgjigje të saktë nëse do të takohet me Kryeministrin Kurti pas ftesës që i ka bërë ky i fundit por ka thënë se nëse i pamundësohet takimi në Kuvend do të ftoj në takim të gjithë liderët e partive politike.

“Unë do të bëjë kërkesën tjetër sepse Kuvendi është i popullit të Kosovës, askush nuk është pronar dhe nuk mund të uzurpojë as procedurialisht dhe nuk mund të mohoj të drejtën e Presidentit për të raportuar. Unë do të takohem dhe do t’i ftojë për takim të gjithë liderët e partive politike”.

Kryeministri Kurti një ditë më parë i ka bërë kërkesën e dytë Presidentit Hashim Thaçi për një takim duke i ofruar tri termine për të bashkërenduar çështjet rreth politikës së jashtme.

Tv Klan






Të ngjashme