Padi për zaptuesit e rërës së plazheve
Ministri i Turizmit do të bëjë padi penale për një nga subjektet që ka përfituar në mënyrë abuzive pronësinë e një sipërfaqeje rëre në bregdetin e Lezhës.
Sezoni turistik nuk është mbyllur ende zyrtarisht, por Kryeministri thotë që shifrat e deritanishme flasin për 500 milionë Lekë të ardhura në buxhet vetëm nga turizmi.
Rama mblodhi kryetarët e bashkive dhe prefektët për të analizuar ecurinë e këtij sezoni, por dhe prioritetet për sezonin e ardhshëm, edhe pse jo të gjithë kryebashkiakët do ta mbajnë këtë post pas zgjedhjeve lokale të 2019. Të zgjedhur demokratë e bojkotuan takimin, por jo kryebashkiakët e partisë tjetër të opozitës. Kryeministri thotë se nuk i ndan në të majtë e të djathtë.
Kërkesat për ta janë 2. Të përfitojnë nga fondet për agroturizmin që e sheh një potencial të madh për ekonomitë lokale të çdo bashkie, por dhe atë kombëtare, si dhe të fokusojnë investimet nga buxhetet e tyre tek infrastruktura që i shërben turizmit dhe jo votave për zgjedhjet e radhës.
Sezonin turistik të këtij viti, Rama e cilëson si më të mirin në gjithë këto vite në drejtimi të pastërtisë, furnizimit me ujë të pijshëm dhe drita dhe ndalimin e derdhjeve të ujërave të zeza në det.
Tv Klan