“Pajisja e përgjimit”, Gjykata e Apelit kthen në detyrë dy oficerët e policisë


“Pajisja e përgjimit”, Gjykata e Apelit kthen në detyrë dy oficerët e policisë

14:38 29/06/2016

Pas rikthimit në detyrë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, Gjykata e Apelit ka shfuqizuar edhe vendimin e “arrestit shtëpiak”  për dy vartësit e tij.

Shefi i njësisë operacionale Arton Duka dhe oficeri Enitol Xhelilaj mund të rikthehen në detyrën që kishin në Policinë e Shtetit. Togat e zeza kryesuar nga Metush Saraçi argumentuan se, dy zyrtarët nuk kanë mundësi të pengojnë hetimet për çështjen e pajisjes së përgjimit “IMSI Catcher” dhe të prishin provat siç pretendon prokuroria.

Duka akuzohej se nuk kishte marrë masa të për siguruar që pajisja nuk do të përdorej për gjë tjetër, veç trajnimit. Ndërsa Xhelilaj, sipas hetimeve, është personi që ka lëvizur automjetin ku ndodhej pajisja e përgjimit nga Drejtoria e Përgjithshme në godinën e Forcave Operacionale.

Gjithashtu, thotë prokuroria, ai është personi që më së shumti e ka lëvizur pajisjen nëpër burgje të ndryshme. Ndërkohë njësia task-forcë e akuzës së Tiranës vazhdon hetimet për çështje “IMSI Catcher”.

Hetuesit janë në pritje të përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në Itali për këtë çështje si dhe po merren në pyetje disa persona që kanë dijeni për çështjen. /TV KLAN






Të ngjashme