Pajisja e përgjimit, Tahiri dhe Çako: Pyesni prokurorinë
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit në komisionin parlamentar për hetimin e pajisjes IMSI Catcher, nuk pranoi të jepte detaje, mbi funksionimin dhe mënyrën se si është përdorur pajisja.
Tahiri tha se në lidhje me rastin ai iu përmbahet të gjitha deklaratave të dhëna prej tij në publik, apo në komisionin përkatës si dhe në organin e prokurorisë.
Pas akuzave të opozitës se po pengon zbardhjen e së vërtetës për çështjen IMSI Catcher, ministri u largua nga Komisioni.
Edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako nuk pranoi të japë detaje, duke e cilësuar informacionin për pajisjen IMSI Catcher si të klasifikuar.
Kjo çështje është nën hetim të prokurorisë bazuar në Kodin e Procedurës penale që nuk lejon nxjerrjen e akteve hetimore. Në fund pa praninë e mediave, për shkak se çështja u klasifikua si sekret shetëror, raportoi kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi.
Debatet
Tahiri: Jam në dijeni për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës time në bazë të ligjit. Për çdo çështje tjetër ju këshilloj ti drejtoheni institucioneve përkatëse
Noka:
Lërini këshillimet po sqarohuni
Tahiri: Për çështjen në fjalë ka një hetim nga prokuroria dhe ju këshilloj ti drejtoheni asaj
Noka: Mos këshilloni jeni si dëshmitar këtu dhe përgjigju
Tahiri:
Nëse s’ju pëlqejnë përgjigjet e mia jeni të hapur të bëni edhe kallëzim, kjo është përgjigja ime.
Noka: Keni thënë se IMSI Catcher është përdorur vetëm nga specialistët italianë, dhe jo nga policia shqiptare. I qëndroni kësaj deklarate?
Tahiri:
Mund ti referoheni përgjigjes që kam dhënë publikisht
Noka: Është përdorur për trajnime apo përgjime?
Tahiri: Përgjigja ime për çdo pyetje është: Referojuni hetimeve që po bën prokuroria
Noka: Në burgun 302, në regjistrin e protokollit është e shënuar që me urdhër të drejtorit të futet në oborrin e burgut automjeti me targë “AA 380 BD” me drejtues Ention Xhelilin, një nga dëshmitarët e thirrur për këtë çështje, për të monitoruar në oborrin e burgut. A keni dijeni për këtë gjë?
Tahiri: Mund t’i referoheni hetimeve të prokurorisë.
Noka: A është Ention Xhelili anëtar i policisë?
Tahiri: Referojuni borderosë./ TV KLAN